Synohet blerja e aparateve që detektojnë veturat e paregjistruara

Byroja Kosovare e Sigurimeve të Kosovës, ka njoftuar se është e gatshme të blejë aparatura për detektimin e veturave të paregjistruara me sistem digjital, por që presin bashkëpunim edhe nga Policia e Kosovës.

“Nëse Byroja duhet të investojë në pajisje për Policinë e Kosovës ne jemi të gatshëm, mirëpo duhet një lloj bashkëpunimi ndërinstitucional sepse në këto raste humb edhe shteti. Besojmë se do të ketë veprime konkrete”, deklaroi Sami Mazreku drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

Ndërsa Policia e Kosovës në një përgjigje për RTV Dukagjinin ka thënë se janë të gatshëm për bashkëpunim me çdo institucion, në përmirësimin e sigurisë në rrugë.

Reklama e sponzorizuar

Edhe njohësi i çështjeve të komunikacionit Bekim Ahmeti thotë se kjo do të ishte një ide e qëlluar.

Ai thotë se edhe blerja e radarëve statikë do të ndihmonte në përmirësimin e situatës në komunikacion.

“Kjo do ta rriste vetëdijesimin e qytetarëve të cilët nuk është dashur të dalin farë në rrugë nëse nuk kanë sigurim…Edhe radarët statikë do ta ngisnin sigurinë nëpër rrugët tona dhe ta ulnin numrin e aksidenteve”.

Numri i madh i veturave të paregjistruara është nder problemet që po e pengon Kosovën të anëtarësohet në Komisionin e Byrosë Evropiane që siguron Kartonin e Gjelbër.