Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) ka dhënë paga gjatë tërë vitit 2020 për 32 zyrtarë, ani pse asnjëri prej tyre nuk kishin dalë në punë as edhe një ditë të vetme.
MASHT nuk kishte arritur t’i ofrojë dëshmi Auditorit të Përgjithshëm për të konfirmuar paraqitjen e këtyrë zyrtarëve në vendin e punës për t’i kryer detyrat për të cilat ishin të ngarkuar me kontrata. Si pasojë buxheti u dëmtua në vlerë prej 135 mijë e 760 euro.
Sipas raportit të auditimit për MASHT nga Zyra Kombëtare e Audtimit (ZKA), ministria kishte kërkuar nga Qeveria përkrahje lidhur me zgjidhjen e këtij problemi, ndërkohë që kjo e fundit nuk kishte marrë ndonjë veprim.
Përveç kësaj kërkese, sipas raportit thuhet se MASHTI nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim për të siguruar vijueshmërinë e këtyre zyrtarëve në vendin e punës, edhe pse ishin bërë pagesat e rregullta për këta zyrtarë për gjithë vitin.
“Pagesa e pagave për punonjës që nuk paraqiten në punë, shkakton dëmtim të buxhetit të ministrisë si dhe mos arritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Auditori i rekomandon ministrit të ndërmarrë veprime konkrete për të siguruar vijueshmërinë e rregullt të këtyre punonjësve në vendin e punës, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore./Buletini Ekonomik/