Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) më 2020 ka bërë një transfer të brendshëm në vlerë të gjithsej 257 mijë e 171 eurove, pa kurrfarë memorandumi të brendshëm siç kërkohet me ligj, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), transferi i brendshëm i AKP-së në vlerë të 257, 171 eurove, ishte bërë nga llogaria e shpronësimit në llogarinë e përfituesit (Ndërmarrjes Shoqërore), me qëllim që të bëhet tutje shpërndarja e 20 përqindëshit të punëtorëve të saj, ani pse pa memorandum.
E gjithë kjo kishte ndodhur pasi që Drejtori i departamentit të komisioneve profesionale në AKP, bazuar në komunikimin elektronik, kishte kërkuar që ky transfer të bëhet pa ndonjë memorandum.
“Transferi i brendshëm dt.01.04.2020 në vlerë 257,171€ nga llogaria e shpronësimit në llogarinë e përfituesit (Ndërmarrjes Shoqërore), me qëllim që të bëhet më tutje shpërndarja e 20% të punëtorëve të saj, ishte bërë pa memorandum të brendshëm (Memo)”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Mirëpo, transferi i mjeteve pa memorandum të brendshëm dhe pa miratimin paraprak të personave përgjegjës krijon mundësi që mos të dihet saktë qëllimi i tij apo që transferi të bëhet në llogari jo të duhur, konstatohet nga ZKA.
Ndërkohë, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP-FM) që të ketë një menaxhim më të mirë të Fondeve në Mirëbesim të cilat administrohen nga vet ajo, për transferet (transaksionet që ndodhin brenda dhe jashtë llogarive të saj), sipas praktikave të saj duhet të përgatitë një memorandum të brendshëm, ku përshkruan qëllimin e transferit, burimi i mjeteve emri dhe numri i llogarisë të ndërmarrjes, shuma e transferuar dhe ky memorandum të nënshkruhet nga personat përgjegjës që janë të përfshirë në procesin e transaksionit.
Ndryshe, gjatë vitit 2020, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka realizuar të hyra nga shitja e aseteve në vlerë 14 milionë e 822 mijë e 298 euro, ku 8 milionë e 389 mijë e 530 euro janë nga shitja e asevetev përmes valëve të likuidimit, 399 mijë e 775 euro nga pagesat e ralizuara nga Qeveria për shpronësimin e aseteve, 6 milionë e 31 mijë euro nga shitja me negocim direkt dhe 1 mijë e 834 janë të hyra nga bartja e së drejtës banesore.
“Të hyrat e realizuara nga shitja paraqesin hyrjet në llogaritë bankare të Ndërmarrjeve Shoqërore (Fondet në Mirëbesim) të cilat administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit”, ceket tutje në raport.
ZKA rekomandon që Kryesuesi i Bordit përmes Drejtorit Menaxhues të sigurohet se mekanizmat e vendosura për kryerjen e transfereve, do t’i zbatojnë praktikat e vendosura për të evituar gabimet eventuale gjatë kryerjes së transfereve./Buletini Ekonomik/