Sipas Raportit të Impaktit Ekonomik të Udhëtimeve dhe Turizmit 2021- në mars 2021, të Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC), ku janë krahasuar ndryshimet mes dy viteve 2019 dhe 2020 janë raportuar këto të dhëna kyçe për Shqipërinë:
- Kontributi total i Udhëtimeve dhe Turizmit në PBB nga 20.5% të ekonomisë totale në 2019 në 10.6% të ekonomisë totale në 2020; pra ka patur një ndryshim prej -51.6%. Kjo në krahasim me ndryshimin e PBB-së për ekonominë reale që ishte me -6.3% (2019-2020).
- Për Kontributin total të Udhëtimit dhe Turizmit në Punësim në vitin 2019 raporti ishte 21.3% e punësimit total dhe në 2020 ishte 17.5% e punësimit total ne vend; pra ndryshimi për dy vitet është -0.2%.
- Ndikimi i vizitorëve ndërkombëtar: Shpenzimet e vizitorëve të huaj në 2019 përbënin 50.3% të eksportit total, ndërkohë në 2020 ato ishin ne 35.9% të eksportit total. Ndryshimi në shpenzimet e vizitorëve ndërkombëtarë është -53.9%. Ndërkohë që ndryshimi në shpenzimet e vizitorëve vendas midis 2019 dhe 2020 është -48.3%.
Të dhënat janë shqetësuese dhe duket qartë që pandemia e Covidit ka patur një efekt të thellë negativ në rritjen e këtij sektori (Udhëtime dhe Turizëm), duke dëmtuar një lojtar kyç në ekonominë e vendit. Turizmi mund të jetë për momentin si leva e Arkimedit për të sjellë të ardhura imediate në ekonomi për kohën post-zgjedhore dhe post-pandemie. Është i domosdoshëm një plan pune me strategji konkrete që të jetë në mbështetje ecurie me Planin Strategjik Kombëtar i Turizmit për 2019-2023, për të dalë nga efektet negative të pandemisë që të arrijmë shifrat e projektuara. Në këtë plan projektohet që rritja e kontributit direkt të turizmit në PBB për 2021 të jetë tek 9.8%. Kjo shifër nuk përfshin kontributin nga udhëtimet.
Të etur për të sistemuar ekonomitë e tyre të vogla, vihen re disa individë apo subjekte janë përfshirë në shfrytëzime të rastit për të ndërtuar investime pa leje. Në ditët e fundit nga qeveria janë marrë masa për rrëzimin e këtyre subjekteve që janë përcaktuar të paligjshme nga autoritetet shtetërore. Ligjshmëria e tyre do të zgjidhet nga këto autoritete përkatëse të cilat vendosin në bazë të normativave të tyre.
Në një sezon turistik qe sapo ka filluar, si do të ndikojnë tek fluksi i turistëve që presim të vijnë në vitet në vazhdim? A po krijojmë imazhin e shkatërrimit apo të rregullit? Po a duhet bërë kjo fiks në fillim të sezonit?
Një tjetër shqetësim është se si do të ndikojë politika jonë për masat ndaj Covid-19 për turistët e huaj në vend. Në pikat kufitare në Shqipëri nuk kërkohen as analiza PCR të testimit për Covid-19 të udhëtarëve që hyjnë ose që dalin, dhe as dokumente që tregojnë vaksinimin e tyre. Ndërkohë vaksinimi në vend është me ritme jo të shpejta. Deri me datë 8 Qershor kemi vetëm 14% të popullsisë së vaksinuar, me këto ritme parashikohet vaksinimi në vend të zgjasë për 2.5 vjet. Kohë e kushtueshme për imazhin e turizmit të sigurt.
Ndërkohë që vendet fqinje si Greqia, kanë ecur përpara me strategjitë e tyre për të sistemuar imazhin e tyre turistik. Ata morën masa në kohë për vaksinimin e popullsisë së tyre dhe e bënë këtë me ritme të shpejta, që të jenë gati për sezonin turistik. Greqia është afër 30% me vaksinim të popullsisë.
Anglia ka përcaktuar në faqet zyrtare të qeverisë, listat e vendeve se si duhet të udhëtojnë shtetasit e saj me sistemin e semaforit. Sistemi i semaforit përfshin një listë të gjelbër, të kuqe, portokalli me secilën ngjyrë që nënkupton rregulla të ndryshme rreth testimit dhe karantinimit. Për vendet portokalli, (ku ndodhet Shqipëria) kjo do të thotë që kërkohet një testim para nisjes, plus karantina në shtëpi për 10 ditë pas kthimit në Angli. Me një llogaritje të thjeshtë kujt turisti i leverdisë të udhëtojë në Shqipëri për një javë pushime kur i duhet të karantinohet në kthim kaq gjatë e të ndërhyjë testime shtesë, kur mund të shkojë në një zonë tjetër e të jetë më i qetë. Shqipëria vetë i hoqi të gjitha kufizimet për hyrjen e turistëve në vend, por vendet e tjera kanë kufizime të ndryshme për udhëtimet e qytetarëve të tyre për në Shqipëri.
Listime të tilla që i bëhen Shqipërisë nga shtete të ndryshme do të ndikojnë patjetër në prurjet e turistëve të huaj edhe pse vendi është i hapur. A i kemi kushtuar vëmendjen e duhur këtij efekti?
A po përballet Shqipëria me efektin flutur? Çfarë është efekti flutur?
Ajo që ngre shqetësime është kaosi i një ekonomie që është kapluar nga kriza të shumta vitet e fundit. Duke filluar nga kriza globale e 2008, pastaj tërmeti i 2019, dhe së fundmi pandemia, atëherë lind pyetja përveç krizave të mëdha të cilat kanë efekte të menjëhershme, po situata të vogla si do të ndikojnë tek përmirësimi i kushteve të biznesit? Periudhat e rritjeve ekonomike apo rënieve të tyre mund të shfaqen në çdo kohë, si rrjedhoje e ndikimit eksponencial të stimujve delikate – pra efekti flutur.
Le të referohemi tek Teoria e Kaosit, e popullarizuar nga koncepti “Efekti Flutur” identifikimi i tij si një efekt i veçantë i është kredituar Eduard Lorenz. Lorenz ishte një meteorolog dhe matematikan i cili bashkoi me sukses të dy disiplinat për të krijuar teorinë e kaosit. Koncepti që zbuloi Lorenz ishte prej shprehjes së tij “përplasja e krahëve të një fluture në Amazon, a shkakton një tornado në Teksas?”
Efekti flutur është ideja se gjërat e vogla mund të kenë ndikime jo-lineare në një sistem kompleks. Koncepti është imagjinuar me një flutur që hap krahët dhe shkakton një tajfun. Në të plan të parë duket e pamundur që një lëvizje e vetme si flutura që përplas krahët nuk mund të shkaktojë një tajfun. Por, ngjarjet e vogla mund të shërbejnë si nxitës ose simulantë që veprojnë që fillim. Në këtë mënyrë, është e pamundur të bësh parashikime të sakta, kur dihet që gjëra të vogla kanë një mundësi të devijojnë trajektoren e ngjarjeve më vonë. Në këtë teori u vërtetua matematikisht që sistemet e thjeshta me shumë pak variabla, mund të tregojnë sjellje të paparashikueshme dhe kaotike. Ky lloj efekti është konsideruar për studime të tjera edhe në tregjet konkurruese.
Tregjet janë sisteme të çrregullta dhe ndikohen nga ndryshime të vogla. Përgatitja për të ardhmen dhe arsyetimi logjik në kaosin e sjelljes së konsumatorit nuk është e lehtë. Aq më tepër në kohë krize apo pandemie si kjo që po shohim tani. Subjektet organizative si qeveritë apo bizneset private kanë dy mundësi në këtë situatë: të ndërtojnë një produkt/politikë ose shërbim të përjetshëm, ose garë për të ecur me ndryshimet. Shumë biznese zgjedhin një kombinim të të dyjave. Ndërsa qeveritë të cilat zakonisht tentojnë të ndërtojnë politika më afatgjatë, po shikohet që të ndërhyjnë më shpejt për shkak të ndryshimeve të fundit.
Edhe Shqipëria është përballur me teorinë e kaosit dhe “efektin flutur” për shumë vite. Vendimet politike sporadike të qëllimshme ose jo, do t’i analizojmë në vitet në vazhdim. Ajo që duhet të bëjmë është të matim dhe të parashikojmë deri diku efektet për çdo lloj vendimi të vogël të tanishëm, dhe sesi ato mund të ndryshojnë për mirë ose për keq, trajektoren e Planit të Zhvillimit të Turizmit Kombëtar.