BB paralajmëron për një prespektivë ekonomike “Të pasigurt”

Banka Botërore

Banka Botërore thotë se Europa dhe Azia Qendrore vazhdojnë të kenë vështirësi në frenimin e pandemisë së koronavirusit, e cila po mjegullon perspektivën ekonomike për rajonin.

Banka tha në raportin e tij më të fundit të Prospekteve Ekonomike Globale, të publikuar më 8 qershor, se rritja ekonomike për 23 vendet në rajon parashikohet të arrijë në 3.9% në vitin 2021, me rritjen e kërkesës së jashtme dhe çmimeve të mallrave industriale që do të kompensojnë ndikimin negativ të rritjeve më të fundit të rasteve të reja me COVID-19.

Megjithatë, Banka Botërore paralajmëroi se parashikimi mbetet “i pasigurt”, me shpërndarje të pabarabartë të vaksinave dhe tërheqjen e masave të brendshme të mbështetjes makroekonomike që peshojnë në rimëkëmbjen rajonale.

Reklama e sponzorizuar

“Disa vende në Azinë Qendrore, Europën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, përballen me pengesa në prodhimin, sigurimin ose shpërndarjen e vaksinave nëpërmjet programit COVAX, ose marrëveshjeve të tjera”, vuri në dukje raporti. “Rritja mund të jetë më e dobët nga sa parashikohet nëse pandemia zgjat më shumë sesa pritet, kushtet e financimit të jashtëm shtrëngohen ose pasiguria e politikave dhe tensionet gjeopolitike rriten më tej”.

Raporti tha se një rritje e rasteve COVID-19 në fillim të vitit 2021 ka ndërprerë rimëkëmbjen fillestare ekonomike të shumë vendeve në rajon dhe paralajmëroi se “pasojat e pandemisë, përfshirë ngadalësimet e akumulimit të kapitalit fizik dhe njerëzor, do të shfaqen për një periudhë afatmesme nëse nuk adresohen”.

Banka Botërore gjithashtu vuri në dukje se zhvlerësimet e fundit të monedhës kanë ushtruar presion të mëtejshëm mbi çmimet, një shqetësim në rritje për disa ekonomi që ende po përpiqen të kalojnë efektet e dekadave të planifikimit të epokës sovjetike.

“Si rezultat i presioneve inflacioniste, normat e interesit janë rritur në një të tretën e ekonomive të rajonit deri në 2021”, tha banka, duke treguar si shembuj Armeninë, Bjellorusinë, Gjeorgjinë, Kirgistanin, Rusinë, Taxhikistanin, Turqinë dhe Ukrainën. Ekonomia ruse parashikohet të rritet me 3.2% në vitin 2021, ndërsa Ballkani Perëndimor pritet të rikthehet në 4.4% rritje vjetore. Europa Qendrore shihet si zona më e dobët në rajonin Europë-Azi Qendrore, me prodhimin ekonomik që është zgjeruar me vetëm 1.9% këtë vit.

Banka Botërore përfshin vendet e mëposhtme në parashikimet e saj për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore: Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Gjeorgjia, Hungaria, Kazakistani, Kosova. Kirgistani, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Rusia, Serbia, Taxhikistani, Turqia, Ukraina dhe Uzbekistani.