Google eksploron aplikacionin antigjurmim

Kompania “Google”, ashtu si edhe “Apple”, po eksploron një aplikacion antigjurmimi për të përmirësuar privatësinë e përdoruesit.

Sipas Bloomberg, “Google” po diskuton se si të kufizojë mbledhjen e të dhënave dhe ndjekjen e aplikacioneve në sistemin operativ Android, por në një mënyrë më pak të rreptë, sesa zgjidhja e “Apple”.

“Ne po kërkojmë mënyra për t’u partnerizuar me zhvilluesit për të ngritur nivelin e privatësisë, ndërsa mundësojmë një ekosistem të aplikacioneve të mbështetur nga reklama”, tha një zëdhënës i “Google”, shkruan Ansa, përcjell Albinfo.ch.

Reklama e sponzorizuar

Javët e fundit kanë shpërthyer polemika midis “Apple” dhe “Facebook”.

Kompania me bazë në Cupertino, në një përditësim të ardhshëm të programit për iPhone dhe iPad, do të shtojë një veçori të re të quajtur “Transparenca e Ndjekjes së Aplikacioneve”, që i lejon përdoruesit të zgjedhin nëse aplikacionet mund të mbledhin të dhëna rreth tyre përmes aplikacioneve dhe faqeve të tjera të internetit.

Ky veprim ka tronditur industrinë e reklamave dixhitale, kryesisht “Facebook”, që u ankua për aplikacionin që do të kufizojë aftësinë për të shërbyer reklama të personalizuara dhe për të gjeneruar të ardhura.