Biden nënshkruan urdhrin që shënjestron kompanitë e mëdha teknologjike

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar të premten një urdhër ekzekutiv, me qëllim të promovimit të konkurrencës.

Ky veprim vë në pah dëshirën e Bidenit për masa më të rrepta ndaj kompanive të mëdha teknologjike, të cilat administrata e tij i ka akuzuar për “dëmtim të konkurrencës”.

“Kapitalizmi pa konkurrencë, nuk është kapitalizëm. Është shfrytëzim”, ka thënë Biden teksa ka nënshkruar urdhrin.

Reklama e sponzorizuar

Në të përfshihen 72 veprime dhe rekomandime, që përfshijnë 10 agjenci.

Në urdhër sugjerohet që problemet janë rritur pasi kompanitë e mëdha teknologjike kanë mbledhur shumë informacione personale, kanë blerë konkurrentët potencialë dhe kanë garuar në mënyrë të padrejtë me bizneset e vogla.

Në mesin e rekomandimeve është përfshirë edhe:

  • vëzhgimi më i madh i blerjeve në sektorin e teknologjisë,
  • rregulla të reja që do të përcaktohen nga Komisioni Federal i Tregtisë për mbledhjen e të dhënave dhe
  • ndalimi i metodave të padrejta të konkurrencës në tregjet e internetit.

Administrata e Bidenit pritet të shënjestrojë edhe një numër sektorësh tjerë me këtë urdhër.

Në dokumentin e nënshkruar, inkurajohen agjencitë tjera qeveritare që të marrin hapa për të përmirësuar konkurrencën në fushat për kujdes shëndetësor, udhëtime dhe bujqësi.

Megjithatë, urdhri ekzekutiv, nuk nënkupton që rekomandimet e bëra do të nisin të fuqizohen menjëherë.

Agjencitë qeveritare gjegjëse duhet të zbatojnë ndryshimet e nevojshme, derisa disa elemente mund të jenë subjekte të proceseve gjyqësore.