Zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishi ka dhënë sqarime shtesë rreth marrëveshjes për taksën shtesë prej 5 euro për regjistrim të automjeteve.
Përmes një statusi në Facebook, Durmishi ka thënë se kjo marrëveshje si proces ka filluar në vitin 2018 në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga Ramush Haradinaj e ministria nga Pal Lekaj.
Ndërsa sipas tij si procedurë ka qenë përmes shprehjes së interesit ku kanë aplikuar disa kompani dhe në fund nga komisioni vlerësues është zgjedhur kompania e përgjegjshme fituese.
Hyseni po ashtu ka thënë se nga kjo marrëveshje përfiton Kosova, pasi ia mundëson aplikimin për kartonë të gjelbër.
Ky është statusi i tij i plotë:
Sqarim për opinionin publik në lidhje me marrëveshjen për “tiketa ngjitëse”.
Kjo marrëveshje si proces ka filluar në vitin 2018 në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga Ramush Haradinaj e Ministria nga Pal Lekaj.
Si procedurë ka qenë përmes shprehjes së interesit ku kanë aplikuar disa kompani dhe në fund nga komisioni vlerësues është zgjedhur kompania e përgjegjshme fituese.
Kur ne kemi ardhur në Qeveri e kemi gjetur marrëveshjen të gatshme vetëm duhej të nënshkruhej. Tre muaj nuk e kam nënshkruar këtë marrëveshje derisa jam siguruar se është gjithçka në përputhje me ligjin dhe procedurat dhe se është interes i Kosovës. Kam autorizuar auditim të komplet procesit dhe kam marr opinionet nga zyra ligjore e Kryeministrit dhe zyra ligjore e ministrisë. Të gjitha rekomandimet kanë qenë që duhet nënshkruar marrëveshja sepse në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet sepse kompania e fiton rastin në gjykata. Unë e kam nënshkruar këtë marrëveshje me 8 qershor 2021.
Çka përfiton Kosova nga kjo marrëveshje?
Në Kosovë aktualisht janë 20% deri 30% të automjeteve të paregjistruara. Kriteri kryesor për aplikim për kartonin e gjelbër është që ky numër të zbret nën 5%.
Vitin e kaluar, kompanitë e sigurimeve e kanë vendosur një taksë prej 30 eurove në emër të mbulueshmërisë së dëmeve të shkaktuara nga aksidentet e makinave të paregjistruara.
Tiketa ngjitëse ndikon në evidentimin e lehtë të automjeteve në komunikacion prandaj do të mundësoj që shumë shpejtë të arrijmë në pragun nën 5% të automjeteve të paregjistruara. Me këtë ne kemi përfitim si qytetarë sepse në njërën anë hiqet taksa prej 30 euro e në anën tjetër plotësojmë kriterin kryesor të aplikimit për kartonin e gjelbër me të cilin përfitimet janë të shumta. Përfitim tjetër natyrisht që është edhe siguria rrugore sepse nuk do të kemi automjete pa kontroll teknike e regjistrim në komunikacion e rrjedhimisht më pak aksidente.
Të dashur qytetarë,
Ne e kuptojmë shqetësimin tuaj por tani po e bëjmë këtë hap të domosdoshëm në mënyrë që shumë shpejtë të përfitojmë individualisht secili nga ne dhe kolektivisht si shtet.