Ekonomia shqiptare po vijon rimëkëmbjen me ritme të shpejta, pas dy goditjeve të njëpasnjëshme, tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë globale.
Pas rritjes me 39 miliardë lekë të të ardhurave në buxhet, edhe eksportet “Made in Albania” drejt tregjeve ndërkombëtare janë thuajse dyfishuar në gjysmën e parë të këtij viti.
INSTAT publikoi sot raportin mbi tregtinë e jashtme sipas të cilit në gjashtëmujorin e parë të këtij viti eksportet e mallrave arritën vlerën 177 miliardë lekë, duke u rritur me 40,9 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 354 miliardë lekë, duke u rritur me 30,5 %, krahasuar me një vit më parë.
Sipas INSTAT, deficiti tregtar arriti vlerën 178 miliardë lekë, duke u rritur me 21,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.
Masat mbështetëse ekonomike për të ruajtur vendet e punës dhe për të ofruar mbështetje për ata në nevojë, ashtu si dhe nisja e vaksinimit masiv të popullatës, kanë qenë thelbësore në ritmet e rimëkëmbjes ekonomike.
Shqipëria që në fillim të krizës së pandemisë miratoi me shpejtësi paketën e parë dhe të dytë mbështetëse për bizneset dhe individët. Këto masa të projektuara dhe zbatuara në mënyrë efektive ndihmuan në zbutjen e disa humbjeve të sektorit privat, përmirësimin e likuiditetit të biznesit dhe mbështetjen e familjeve të prekura.