ATK: 75% e denoncimeve për evazion tatimor nga qytetarët, kanë rezultuar me gjoba

Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se denoncimi i rasteve nga ana e qytetarëve/tatimpaguesve për evazion fiskal, aktualisht mund të bëhet përmes tre mekanizmave.

Sipas tyre, këta mekanizma janë në dispozicion në secilën pikë/zyrë të Administratës Tatimore të Kosovës.

Përmes linjës pa pagesë: 0800 80 800, qytetarët mund të raportojnë çdo ditë 24/7, ku çdo denoncues i garantohet konfidencialitet i plotë në rastin e raportimit.

Reklama e sponzorizuar

Nga kjo linjë, deri më tani, rreth 75 për qind e denoncimeve në ATK janë përcjellur me gjoba, përcjell Buletini Ekonomik.

“Përveç linjës online, mekanizëm tjetër që qytetarët e kanë në dispozicion është edhe kutia e vërejtjeve, si dhe përmes e-mailit është arritur që rreth 56% të bizneseve të gjobiten, varësisht rastit të raportuar”, thuhet në një njoftim për media nga ATK.

Gjithashtu, ATK bën me dije se së fundmi është plasuar për përdorim edhe aplikacioni elektronik: https://apps.atk-ks.org/regemployer, i cili iu mundëson punëtorëve që ta verifikojnë veten nëse janë të regjistruar si punëtorë nga punëdhënësi.

E njëjta platformë, u jep mundësinë qytetarëve të verifikojnë nëse janë punëtorë të formalizuar dhe në rast se konstatohen si të paregjistruar, ta denoncojnë drejtpërdrejt punëdhënësin e tyre.

“Për të gjitha rastet e raportuara përmes kësaj vegle është arritur që pas verifikimeve të bëra në teren të ndëshkohen bizneset për mos regjistrim, ku niveli i gjobave shkon deri në 15% të rasteve të denoncuara”, thuhet tutje në njoftim.

Administrata Tatimore gjithashtu fton qytetarët që të vazhdojnë të jenë bashkëpunues në luftimin dhe parandalimin e evazionit tatimor, duke i siguruar ata se çdo rast i raportuar do të mbetet konfidencial. /Buletini Ekonomik/