Gati gjysma e kompanive të sigurimit problem me kapital, ndërhyn BQK

Të paktën katër kompani të sigurimit në Kosovë janë duke e ushtruar aktivitetin e tyre jashtë parametrave ligjore, përkatësisht mungesës së kapitalit dhe solvencës. Në bazë të ligjit për sigurimet, kompanitë duhet të mbajnë nivele të caktuara të kapitalit si rezervë, për t’ju përgjigjur detyrimeve në të ardhmen.

Kjo ka bërë që gati gjysma e kompanive të sigurimit në vend të jenë subjekt i masave administrative të BQK-së, gjatë vitit 2020. Ndërkaq, një kompani e sigurimit, vazhdon të jetë nën administrim për shkak të gjendjes së rëndë financiare, përcjell Buletini Ekonomik.

“Për shkak të mos përmbushjes së planit të rimëkëmbjes financiare dhe gjendjes së rëndë financiare, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka vendosur siguruesin Kosova e Re nën administrim të përkohshëm nga 1 nëntor 2020 deri më 30 prill 2021”, thuhet në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2020.

Reklama e sponzorizuar

Në raport thuhet se si rezultat i mbikëqyrjes së afërt të sigurimeve dhe masave administrative të BQK-së, siguruesit edhe gjatë vitit 2020 kanë vazhduar me shtim të kapitalit.

“Në këtë vit janë shtuar 7.2 milionë euro, përderisa gjatë vitit 2019 ishin shtuar 6.9 milionë euro. Kjo ka ndikuar në uljen e numrit të siguruesve të cilët kanë qenë jashtë parametrave ligjor të kërkuar për kapital, solvencë dhe asete në mbulim të provizioneve teknike”.

Gjithashtu, viti 2020 është përmbyllur me një rritje të provizioneve teknike prej 9.0 milionë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Për shkak të problemeve të ngjashme, BQK e kishte dërguar në likuidim kompaninë e sigurimit “Insig”, e cila nuk arriti të këndellet as pas fazës së administrimit. Kompania la borxhe rreth 8 milionë euro dhe u dëmtuan financiarisht mijëra qytetarë që kishin polica të sigurimit në këtë kompani.

Shqetësime për situatën në këtë sektor kishte ngritur edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin “Rishikimi i stabilitetit të sektorit financiar”.

Me rregullore të BQK-së, shpenzimet e kompanive kufizohen në nivelin 35 për qind të primeve, por në vitin 2018 FMN gjeti se shpenzimet në disa kompani e tajkaluan këtë prag, duke shkuar në rreth 50 për qind të primeve. .

“Normat e larta të shpenzimeve mbizotërojnë me gjithë faktin se BQK-ja si duket ka nxjerrë një rregullore që kufizon shpenzimet në 35 përqind të primeve, normë kjo e cila respektohet vetëm nga kompanitë udhëheqëse në treg”, thuhet në raport./Buletini Ekonomik/