Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e Zyrës së Auditorit për pasqyrat financiare të Ministrisë të Administrimit të Pushtetit Lokal për vitin 2020.
Deputeti Eman Rrahmani ka bërë një pasqyrim të të gjeturave të Auditorit për MAPL, ku mes tjerash ka treguar se performanca e dobët buxhetore vazhdon të mbetet problematike.
“Një nga problematikat që në vazhdimësi paraqitet ka të bëjë më kontrollet e brendshme. Është e rëndësishme të ngritët niveli i përgjegjësisë në shtrembërimet e shpenzimeve të parasë publike. Viti 2020 është më i dobët në performancën e shpenzimeve buxhetore”, ka thënë Rrahmani.
Ministri Elbert Krasniqi ka thënë se pasqyrat financiare të Auditorit paraqesin një gjendje të vërtetë dhe se ka mohuar që aktualisht kanë ndonjë zyrtar që merr pagë e nuk punon në MAPL.
“Bazuar në këtë raport MAPL pasqyrat financiare prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë. Ne aktualisht si ministri jemi në procesin e riorganizimit dhe risistemimit. Ndërsa, për personat që duhet të punojnë e nuk punojnë nuk ka asnjë zyrtarë në këtë ministri”, ka thënë Krasniqi.
Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami e ka parë si ngritje politike këtë çështje sa si të gjetur të auditorit.
“Nuk të obligon asnjë marrëveshje ndërkombëtare të paguash dikë që nuk kryem punë”, është shprehur Bajrami.