Gjatë tremujorit të parë 2021, sektori i sigurimeve në Kosovë performoi me humbje neto në vlerë prej 578.1 mijë euro, thuhet në raportin për vlerësimin tremujor të ekonomisë, i hartuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sektori pati një fitim neto në vlerë prej 1.7 milionë euro.
Sipas raportit, rezultatet negative financiare gjatë këtij tremujori reflektojnë kryesisht nivelin më të lart të dëmeve të ndodhura krahasuar me nivelin e arkëtimeve prej primeve të shkruara.
Vlera e primeve të shkruara bruto në sektorin e sigurimeve në TM1 2021 arriti në 25.1 milionë euro, një rritje vjetore prej 12.6 përqind (2.1 përqind rritje vjetore gjatë TM1 2020) (grafik 25).
Primet e kategorisë ‘jo-jetë’ përbëjnë 95.9 përqind të gjithsej primeve të shkruara, ndërsa ato të kategorisë ‘jetë’ 4.1 përqind. Ndërsa, vlera e dëmeve të paguara nga sektori i sigurimeve (përfshirë edhe Byronë Kosovare të Sigurimit) shënoi rritje gjatë TM1 2021 kundrejt periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Në TM1 2021, dëmeve të paguara arritën vlerën prej 15.6 milionë euro (13.9 milionë euro në TM1 2020) (grafik 25).
Pasi që primet dhe dëmet gjatë kësaj periudhe u rritën njëtrajtshëm, raporti dëme/prime në TM1 2021 mbeti pothuajse i pandryshuar me periudhën paraprake, në 62.0 përqind. /Buletini Ekonomik/