Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje(VV), Mimoza Kusari-Lila, në lidhje me ekzekutimin e pagave për grevistët ka theksuar se ligji për greva e përcakton saktë kompensimin ose moskompensimin për grevistët.
Deputetja e VV-së ka thënë se me ligjin mbi grevën parashihet që punëtorët qoftë në sektorin publik apo në atë privat, të cilët janë pjesë e grevës së deklaruar, sipas rregullave të parapara me ligj, nuk kompensohen për ditët të cilat nuk janë në vendin e punës.
“Në bazë të këtij ligji do të vendoset për ekzekutimin e pagave për grevistët”, ka thënë Kusari-Lila.
Por çka thuhet saktësisht në nenin 18 të Ligjit për Greva në të cilin po thirren deputetet e pozitës.
“Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës”, thuhet në nenin 18, pika 1, të këtij ligji. Ndërsa në pikën 2 thuhet se “Ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme, është i kundërligjshëm”.
Mbetet të interpretohet nga juristët nëse pika 1 e nenit 18 të këtij ligji i jep vërtetë të drejtë qeverisë për pagat e mësimdhënësve.












