Kosova synon të rimëkëmbë ekonominë me 420 milionë euro

Qeveria e Kosovës po planifikon të rimëkëmbë ekonominë me 420 milionë euro. Këto para janë parashikuar të jenë pjesë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Financimi nga buxheti është 190 milionë euro, ndërsa 230 milionë euro të tjera parashihen për financim nga huamarrja. Ende nuk dihet nëse këto mjete do të jenë borxhet ndërkombëtare apo të brendshme

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të ndajë 420 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike, në kuadër të së cilës hyjnë edhe bonot e diasporës.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se pako në tërësi, por edhe masat specifike të saj kontribuojnë në arritjen e shumë synimeve, si punësimin dhe formalizimin e ekonomisë, përmirësimin e Produktit të Brendshëm Bruto dhe ruajtjen e stabilitetit makrofiskal.

Reklama e sponzorizuar

Sa u përket kritereve, afateve dhe planeve të operimit të masave të kësaj pakoje, Murati tha se do të procedohen sipas procedurave dhe vendimeve të veçanta nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

“Shuma totale e pakos së ringjalljes ekonomike kap vlerën 420 milionë euro dhe vlen të theksohet se në kuadër të pakos, hyjnë edhe bonot e diasporës, ku mjetet nga këto letra me vlerë do të përdoren për financimin e një pjese të pakos. Kjo pako përbëhet nga 5 grupe të masave, të cilat më pas ndahen në nënmasa, të cilat tashmë i kemi prezantuar. Kryesisht grupet janë: mbështetja e punësimit në vlerë 50 milionë euro; ringjallja e ekonomisë së prodhimit, në vlerë 108 milionë euro; mbështetja për familjet në vlerë 50 milionë euro; mbështetja për shërbimet publike 112 milionë euro, si dhe investimi në infrastrukturë dhe ambient, 100 milionë euro”.

Ministri Murati u shpreh se çfarëdo rishikimi i politikave tatimore do të bëhet në koordinim të ngushtë me sektorin privat, ndërsa një vendim i mundshëm do të pasojë një analizë të thukët të të gjithë sektorëve të ekonomisë. “MFPT është duke bërë përpjekje që të ketë një pasqyrë të qartë të ekonomisë në Kosovë, në mënyrë që të prezantohet një fushatë formalizimi për të gjithë sektorët”.

Kurse drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka kërkuar nga Murati që të shmanget mundësia e vendosjes së tatimeve të reja, ose rritjes së normave ekzistuese tatimore, derisa ekziston mundësia reale nga mbledhja e më shumë të hyrave buxhetore nëpërmjet luftimit të ekonomisë joformale.

Ish-ministri i Financave në Qeverinë Haradinaj, Bedri Hamza i PDK-së, e ka kritikuar pakon e ‘Ringjalljes Ekonomike’, duke thënë se Qeveria është vonuar me këto masa.

“Nuk ka bërë ndonjë veprim konkret drejt shtresave që kanë nevojë të përkrahen siç janë pensionistët, kategoritë e dala nga lufta, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë e tjera. Përtej kësaj ata nuk janë duke e zbatuar ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili i ka të paraparë dhe është obligative 200 milionë euro grante, kontribute financiare pa kthim për sektorin e biznesit dhe 30 milionë euro për të punësuarit në sektorin privat, që kanë humbur vendin e punës”.

Borxhi publik në Kosovë, vitin e kaluar, arriti në vlerën 1.5 miliardë euro. Nga kjo vlerë, 961.9 milionë euro janë borxh i brendshëm dhe mbi 520 milionë borxh ndërkombëtar. Krahasuar me vitin 2019, vlera e borxhit të përgjithshëm shënoi rritje 23%. Në vitin 2016, vlera e borxhit të përgjithshëm të Kosovës, ishte 850 milionë euro, ose 14% të Produktit Vendor Bruto.

 

Pako e ndihmës

Shuma totale e pakos së ringjalljes ekonomike kap vlerën 420 milionë euro dhe vlen të theksohet se në kuadër të pakos, hyjnë edhe bonot e diasporës, ku mjetet nga këto letra me vlerë do të përdoren për financimin e një pjese të pakos. Kjo pako përbëhet nga 5 grupe të masave, të cilat më pas ndahen në nënmasa, të cilat tashmë i kemi prezantuar.

Kryesisht grupet janë: mbështetja e punësimit në vlerë 50 milionë euro; ringjallja e ekonomisë së prodhimit, në vlerë 108 milionë euro; mbështetja për familjet në vlerë 50 milionë euro; mbështetja për shërbimet publike 112 milionë euro, si dhe investimi në infrastrukturë dhe ambient, 100 milionë euro

“Ringjallja Ekonomike”, 420 milionë euro, është ndarë në gjithsej 5 masa.

50 milionë euro janë ndarë në Masën 1, për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbështetjen e drejtpërdrejtë të punëkërkuesve. Sipas ministrit Murati, nga këto 50 milionë, 10 milionë euro qeveria do t’i ndajë për ata që kanë humbur vendin e punës në periudhën mars 2020 – prill 2021.

108 milionë euro është shuma e ndarë për Masën 2 të Pakos.

Sipas qeverisë, kjo masë është për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe të prodhimit. Kjo shumë do të përdoret për investime në teknologji e inovacion, prodhim dhe eksport, duke mos përjashtuar as mbështetjen e bizneseve që u goditën më së shumti nga pandemia.

Masa 3, nga pesë që janë gjithsej, ka parashikuar shumën prej 50 milionë eurosh, për mbështetjen për familjet, shtresat e cenueshme të shoqërisë, që sipas Qeverisë, do të synojë t’ua lehtësojë barrën që kanë pasur gjatë pandemisë.

Këtu përfshihen ndihma për familjet që kanë humbur kryefamiljarin nga COVID-19, pensionistët, skemat sociale e për familjet në nevojë.

Në masën 4 të “Ringjalljes Ekonomike” të prezantuar nga ministri Hekuran Murati, përfshihen 112 milionë euro mbështetje për sektorin publik. Sipas Qeverisë, rritja e cilësisë së shërbimeve publike, shërbimet më cilësore në shëndetësi, arsim, kulturë e sport janë ndër prioritetet e Qeverisë Kurti II.

Nga kjo shumë e Masës 4, janë parashikuar 30 milionë euro për ndërmarrjet publike. Dhe gjithashtu janë paraparë investime për blerjen e vaksinave, si dhe për blerjen e barnave esenciale.

Ndërsa në Masën 5 janë parashikuar të ndahen 100 milionë euro për investime në infrastrukturë dhe mjedis. Nga buxheti i tërësishëm për investime kapitale, rreth 100 milionë euro janë të dedikuara për investime në projekte strategjike që kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturë rrugore e hekurudhore, si dhe me investime në ruajtjen e mjedisit.

Në kuadër të ambientit jemi duke negociuar me institucione financiare ndërkombëtare, edhe për investime të tjera në fushën e eficiencës dhe energjisë elektrike, dhe jemi në hulumtim edhe për mundësi të tjera financimi nga grantet dhe donatorët.

Po ashtu, në këtë aspekt ka edhe investime të tjera që janë duke u bërë e që janë jashtë buxhetit, siç është rasti me investimin në filterët e TC Kosova B, investim rreth 90 milionë euro, ku shumica është grant nga fondet IPA të BE-së. Kjo do të përmirësojë dukshëm cilësinë e ajrit dhe jetën e banorëve në komunat përreth.