Tregtarët e Kosovës, gjithnjë ekspeditivë në ngritjet e mëdha të çmimeve

Fotografi ilustruese

Për pjesën dërrmuese të tregtarëve kosovarë, thuaja është inekzistent dhe, praktikisht, i pa vërejtshëm dhe i papërfillshëm, paralajmërimi për rrezikun e rritjes së sërishme të çmimeve, për shkak të krizës në Detin e Kuq, për faktin se ata nuk janë ndalur asnjë moment nga ngritja e egër e çmimeve të konsumit, e sidomos të produkteve elementare ushqimore, as gjatë tërë vitit të kaluar, as në janar e ditët e para të shkurtit 2024. Shumica e tregtarëve tanë, si me krizën në Detin e Kuq, si pa të, kanë vazhduar avazin e vjetër-ngritjen enorme të çmimeve të produkteve elementare ushqimore, të produkteve nga qumështi dhe të atyre të higjienës (detergjenteve, të të gjitha llojeve të sapunit, e kështu me radhë…).

Mehmet GJATA

“Çmimet e disa produkteve në Kosovë ka rrezik të rriten sërish, për shkak të krizës në Detin e Kuq”, ishte paralajmrimi i shpërfaqur ditë më parë në një numër të medieve dhe të rrjeteve sociale të vendit. Sipas REL-it, shumë kompani detare i kanë ndaluar anijet e tyre të mallrave që të lundrojnë në këtë det dhe i kanë naviguar në drejtime të tjera më të gjata, për shkak të sulmeve të rebelëve të Huthit kundër tyre. Për pasojë, kompanisë “Elkos Group” nga Kosova i duhet të paguajë deri në 6.000 euro më shumë për një kontejner prej 25 tonelatash që i vjen nga Kina.

Reklama e sponzorizuar

Paralajmërimi me përballjen e mundshme reale me rrezikun e rritjes së çmimeve të konsumit, do të duhej të jetë shqetësues edhe për tregtarët e Kosovës. Por, hiq një numër të vogël të tyre, për pjesën dërrmuese të tregtarëve kosovarë thuaja është inekzistent dhe, praktikisht, i pa vërejtshëm dhe i papërfillshëm, për faktin se ata nuk janë ndalur asnjë moment nga ngritja e egër e çmimeve të konsumit, e sidomos të produkteve elementare ushqimore, as gjatë tërë vitit të kaluar, as në janar e ditët e para të shkurtit 2024.

Tregtarët tanë, si me krizën në Detin e Kuq, si pa të, kanë vazhduar avazin e vjetër-ngriten enorme të çmimeve të produkteve elementare ushqimore, të produkteve nga qumështi dhe të atyre të higjienës (detergjenteve, të të gjitha lojeve të sapunit, e kështu me radhë).

Për pasojë, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar dhe gjatë janarit të këtij viti, janë vërejtur çmime ndjeshëm të ngritura edhe në sektorin e gastronomisë. Këto ditë, në kryeqytet, në shumicën e kafiterive dhe të lokaleve gastronomike, çmimi i një kafe esspreso, ose një çaji të thjeshtë, sish në filter, ka shkuar në 1,5 euro. Një kilogram fasule ka kohë që ka çmimin deri në 6 euro. Një paketim 1 kilogramësh makaronash të markës italiane “Divella’, që në Kosovë, ka kohë që është jo pak i konsumuar, dje dhe sot (më 6 dhe 7 shkurt ), në hapësirat tregtare të një rrjeti të madh tregtie të Kosovës, kishte çmimin 2,10 euro, ndërsa shitej “në aksion”, që i bie me çmim të ulur 1,49 euro. I njëjti produkt, një paketim 500 gramësh tani ka çmimin 1,10 euro, ndërsa vetëm para dhjetëra muajsh i njëjti produkt në Kosovë është tregtuar me 60-65 centë.

Edhe çmimi i ushqimit, të të gjitha llojeve, praktikisht në lokalet kur servohet ushqimi në kryeqytet, por edhe në qendrat e tjera të Kosovës, çmimet janë ngritur për 20 deri në 30 për qind. Një lloj senduiqi i thjeshtë prej mishit të pulës, dhe i përgatitur në petë buke, me emrin “Fajitas”, që është goxha i preferuar nga klientët, në një nga restorantet e njohura të kryeqytetit, e kishte arritur çmimin në 4,2 euro. Çmimi i një “Fajitas” arriti në këtë nivel brenda një periudhe të shkurtër kohore, respektivisht brenda 5-6 mujsh. Fillimisht shitej 3,5 euro, pastaj 3,70 euro, 3,90 për të arritur tani në 4,20 euro.

Po të analizosh edhe sipërfaqësisht dhe fare përciptazi ecuritë e çmimeve në Kosovë, sidomos të atyre të konsumit, gjatë këtyre ditëve me çmimet e prezentuara në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit të ASK-së, për vitin 2023, të rritura 4,9 për qind krahasuar me vitin 2022, shihet diferencë shumë më e madhe e rritjes së çmimeve këtyre ditëve.

Sipas të dhënave të ASK-së, në fund të 2023-tës, siç dihet, ngritja e indeksit të çmimeve të konsumit është vërejtur te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: perimet (15,9%), pemët (11,4%), prodhimet ushqimore (11,3%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (11,2%), buka dhe drithërat (8,9%), qumështi, djathi dhe vezët (8,4%), mishi (7,8%), energjia elektrike gaz dhe lënde djegëse te tjera (7,5%), mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtja e shtëpisë (7,3%), strehimi , uji, energji elektrike, gazi dhe lëndë djegëse të tjera (6,4%), pijet alkoolike, duhani (6,4%), pijet joalkoolike (6,3%), restorantet dhe hotelet (5,8%), mallra dhe shërbime te ndryshme (3,8%), blerja e automjeteve (3,8%), veshje dhe këpucë (3,4%), shëndetësia (2,7%) me një ndikim te përbashkët te këtyre nëngrupeve prej 6,2 përqindja në IHÇK-it.

Tani, këto përqindje janë ndjeshëm më të larta se sa ato të prezentuara nga ASK-ja në fund të 2023-tës. Prandaj, paralajmërimi me përballjen e mundshme reale me rrezikun e rritjes së çmimeve të konsumit, nuk është se shqetësoi edhe aq shumë shumicën e tregtarëve kosovarë. Aq më shumë, kur dihet se sektori i çmimeve në Kosovë praktikisht në gjithë periudhën e pasluftës ka qenë jashtë kontrollit institucional.

Tendenca anarkike në fushën e çmimeve dhe ecuritë e çregulluara dhe jo normale në këtë sektor, po mbretërojnë në vendin tonë (ndër më të varfërit në rajon dhe përtej), sidomos që nga shpërfaqja e pandemisë Covid 19, e sidomos nga nisja e luftës ruso-ukrainase. Që nga kjo kohë, rreth 2-3 vjet e më shumë, në sektorin e çmimeve të Kosovës ka dominuar stihia, anarkia dhe kaosi. Autoritetet, zyrtarët kompetentë dhe dikasteret qeveritare në tërë këto vite kanë zgjedhur mënyrën më të lehtë për ta anashkaluar këtë problem serioz, duke ua “mbyllë gojën” qytetarëve të shumtë ankimues për keqpërdorimet, sidomos për ngritjet enorme dhe jashtë çdo logjike të tyre, me “arsyetimin” se në kapitalizëm, rendin shoqëror të përqafuar tashmë edhe nga Kosova, “tregu është rregullator i çmimeve” dhe se ligjin e tregut, gjegjësisht se çmimet i përcaktuaka ligji i ofertës dhe kërkesës.

Natyrisht, këto arsyetime të qeveritarëve i kanë shfrytëzuar për mrekulli tregtarët, dhe po vazhdojnë t’i shfrytëzojnë më së shumti ata, matrapazët dhe tregtarët me prirje manipulative, duke i ngritur çmimet në stratosferë, madje jo në pak raste duke e ngritur marzhën e fitimit përtej qind për qindëshit të shumicës së produkteve që përmban tregu kosovar.

Praktikisht, tregtarët, shumë sish fare të pandërgjegjshëm, u dëshmuan se janë të paprekshëm dhe vepruan rreth ngritjes së çmimeve, siç iu tek atyre, edhe në raste krizash, edhe në raste të ditëve më të qeta. Sidomos ngritje çmimesh, siç u tha më lartë, ndodhën tek artikujt elementar ushqimor, ata të shportës pra dhe të higjienës, për të arritur sot në nivelin mbi çmimet e produkteve të njëllojta në Gjermani, në Francë, në Itali dhe në shumë vende të tjera të Perëndimit.

Është edhe më keq, që ngritja e egër e çmimeve po ndodhë edhe tani, në ditët e para të këtij viti, kur nga të dhënat që shpërfaqen në medien ndërkombëtare, por edhe në raporte të ndryshme statistikore të institucioneve prestigjioze të shumë shteteve, shihet qartë se në mbarë botën, në periudhën e deritashme të këtij viti, sikundër qysh është paralajmëruar, kanë nis të shënohen trende të prekshme të uljes së çmimeve të shumicës dërrmuese të produkteve (të energjisë elektrike, të disa produkteve elementare ushqimore, të patundshmërive dhe të shumë mallrave industriale).

Deri kur do të veçohet Kosova nga bota mbarë në ngritjen e egër të çmimeve, dhe deri kur shteti i Kosovës nëpërmes përfaqësuesve të vet, do të vetëkënaqet me shtirjen sikur po bëjnë detyrën me ca apele të flashta, anemike dhe thuaja pa asnjë ndikim në parandalimin e ngritjes enorme të çmimeve, si në asnjë vend tjetër të rruzullit, mbetet të shihet gjatë muajve në vazhdim të 2024-tës.

Fundja, publiku dhe konsumatorët e varfër kosovarë presin me të drejtë monitorimin serioz institucional të tregut dhe publikimin e masave ndëshkuese eventuale për shkelësit kronik të normave elementare të ndërmarra për shkelësit tashmë kronikë të rregullave të ‘lojës” në sektorin e çmimeve. /Buletini Ekonomik/