Nafta e mbyll javën në rënie- Realizon humbjet më të mëdha javore që nga maji

Nafta po shfaqet e qëndrueshme në sesionin e fundit të kësaj jave, por pritet të publikojë humbjet më të mëdha javore që nga maji i këtij viti, për shkak se investitorët parashikojnë një furnizim më të madh të tregut.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 73.4 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë kësaj jave ka humbur 2.3% të vlerës.

Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 71.7 dollarë për fuçi, pas rënies me 3.4% një ditë më parë. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe arritën një kompromis gjatë kësaj jave, duke i hapur rrugën OPEC+ që të finalizojë marrëveshjen për rritjen e prodhimit. OPEC+, që përbëhet nga vendet anëtare të Organizatës Eksportuese të Naftës dhe nga aleatët e tjerë me në krye Rusinë, dështuan javën e kaluar të arrinin një marrëveshje mbi kuotat e prodhimit.

Reklama e sponzorizuar

OPEC deklaroi të enjten se, parashikon që kërkesa globale për naftë të rritet në rreth 100 milionë fuçi në ditë, gjatë vitit të ardhshëm, një nivel i barabartë me periudhën para pandemisë.

Rritja e kërkesës do të udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, Europa, Kina dhe India. Ndërkohë, çmimet kanë gjetur një mbështetje të lehtë nga rënia e rezervave në SHBA, gjatë javës së kaluar me 8 milionë fuçi. Në anën tjetër, JPMorgan parashikon se kërkesa globale për naftë në korrik dhe qershor do të jetë 1.7% më e ulët, krahasuar  me vitin 2019./Scan tv/