Ndryshimet në paga e pozita, kryesindikalisti i Telekomit takohet me Kurtin

Ndryshime masive janë parë në Telekomin e Kosovës ditën e sotme.

Kjo pasi, një numër i madh i punëtorëve i kanë pagat me ndryshime, madje disave edhe u janë ndryshuar pozitat.

Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me kryetarin e sindikatës së punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.

Balaj shpalosi detaje të këtij problemi, por i siguroi punëtorët që nuk kanë arsye për shqetësim, pasi do të angazhohet maksimalisht që kjo çështje të mbyllet në favor.

Reklama e sponzorizuar

“Është një vendim i raportit të auditorit i vitit 2018/2019, ku ka kërkuar, respektivisht rekomanduar që janë bërë disa gabime në Telekom të Kosovës. Ne si sindikatë kemi kërkuar që gjithçka të shkohet rreth ristrukturimit. Kjo pasi, ne besojmë që mund të ketë impak financiar, pra nëse thehet një kontratë. Një vendim i tillë ka qenë edhe në vitin 2012 dhe Telekomi në atë kohë i ka humbur afro 8 milionë euro, ndërsa edhe më tutje është gjykatave”, tha fillimisht Balaj.

Ndërkaq, ai gjithashtu konfirmoi takimin me kryeministrin Kurti, me ç’rast ia ka bërë të ditur problemet e shkaktuara së fundi nga këto ndryshme.

“Sapo iu kam adresuar me një email zyrtar kryeministrit Kurti, me të cilin dje e kam pasur një takim ku e kam informuar lidhur me këtë çështje. Ne si sindikatë nuk do të lejojmë që të ketë impakt financiar, ndërsa punëtorët e Telekomit, edhe pse sot është data 7, janë pa paga dhe nuk dihet kur do t’i marrin ato.

Ajo që mund të them është se një numër i punëtorëve janë të shqetësuar, por unë do të angazhohem dhe besoj që asnjë nga punëtorët në fazën e strukturimit nuk do të dëmtohen. Nuk kanë faj punëtorët që i kanë marrë pozitat para tri viteve. Unë besoj që ka qenë hap i ngutshëm, por që shumë shpejt do ta zgjidhim pasi besojmë që askush nuk e dëshiron një impakt financiar”, tha ndër të tjera Balaj.