Bashkimi Evropian ka propozuar kufizime më të ashpra në emetimet e karbonit nga veturat, dhe është duke konsideruar mundësinë e ndalimit të shitjes së makinave me benzinë dhe naftë nga viti 2035.
Në këtë mënyrë, makinat elektrike do të bëheshin më të përballueshme. Për këtë arsye, në propozime është përmendur edhe obligimi i shteteve që të instalojnë mijëra karikues për makina nëpër rrugë të gjata.
‘Evropa e Lirë’ shkruan se Kompanive të energjisë do t’iu kërkohet që të ndërtojnë më shumë panele solare këtë dekadë. Shumë termocentrale dhe zona thëngjilli do të mbyllen, çka do të përbëjë sfidë të madhe për ekonomitë lokale, që varen nga to.
Bashkimi Evropian do të ndajë fonde, për t’iu ndihmuar kompanive dhe rajoneve për të ritrajnuar punëtorët, mirëpo qeveritë kombëtare dhe kompanitë, do të duhet të bëjnë investime të mëdha për të menaxhuar tranzicionin.
A do të kushtojë gjithçka më shumë?
Politikat e BE-së janë krijuar në bazë të parimit që nënkupton se gjërat që krijojnë më shumë ndotje do të jenë më të shtrenjta, dhe anasjelltas.
Brukseli do ta organizojë këtë sistem në tri mënyra.
E para, përmes çmimeve në karbon. Sistemi i BE-së për Tregtim të Emetimeve, tregu më i madh në botë për karbon, do të obligojë termocentralet dhe fabrikat të blejnë leje kur emitojnë dioksid karboni. Brukseli dëshiron të shtojë edhe transportin në atë treg, si dhe të krijojë treg për dioksid karboni për ngrohjet nëpër banesa.
Kjo gjë mund të ndikojë në rritje të çmimeve në faturat për ngrohje nëpër shtëpi, andaj BE-ja është zotuar për t’iu ndihmuar kompanive me të hyra të vogla që të bëjnë instalimet e nevojshme për të shmangur shtrenjtimin.
Në periudhë afatgjatë, në ndërtesat e renovuara do të kushtojë më lirë ngrohja dhe ftohja.
Së dyti, përmes taksave. Brukseli dëshiron të prezantojë taksa në BE për ndotje nga kerozina e aeroplanëve. Kjo gjë mund të ndikojë në rritje të çmimeve të biletave, nëse kompanitë ajrore e bartin këtë shpenzim te konsumatorët.
Së treti, duke i bërë mundësitë e energjisë së ripërtrishme më të lira. Këto propozime do të shtyjnë fabrikat që të investojnë në prodhimin e teknologjive me nivele të ulëta të karbonit, të cilat janë të shtrenjta sot, mirëpo do të lirohen në vazhdimësi.
Artikulli i plotë: kliko ketu/Scan tv/