Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovë (ATK) ka marrë vendim që nga sot të vazhdojnë grevën e tyre me orar të plotë.
Ku janë pezulluar të gjitha shërbimet për tatimpaguesit.
“Këto ditë kemi mbajtur një gjysmë orari, vetëm pjesën e paradites me greva. Kjo ka ndodhë deri më tash për shkak të mos reflektimit nga qeveria apo Ministria e Financave, në lidhje me kërkesat tona. Kërkesat veç i kemi raportuar disa herë cilat janë ato. Për herë të fundit është dërguar zyrtarisht shkresa me 9 qershor, ku janë cekur të gjitha kërkesat dhe janë sqaruar arsyeshmëritë në lidhje me këto kërkesa. Deri më tani nuk kemi më asnjë konfirmim”, kështu ishte shprehur sekretarja e sindikatës, Arlinda Bajraj.
Ajo ka shtuar se qëllimi i tyre nuk është që të dëmtohen tatimpaguesit e as të mbesin pa shërbime, por që janë të detyruar meqë nuk po plotësohen kërkesat e tyre.
“Greva do të vazhdojë, madje nga e hëna do të jetë e përgjithshme në gjithë orarin e punës, nga ora 08:00 deri në orën 16:00 do të ndërpriten të gjitha shërbimet për tatimpaguesit nga të gjitha zyrat dhe regjionet e ATK-së”, ka deklaruar ajo.
Kjo grevë është vazhdimësi e grevës paralajmëruese të mbajtur në maj të këtij viti. Kërkesat e tyre janë për krijimin e kushteve të punës, propozim-ndryshimin e statusit të ATK-së, kompensimet e ndryshme.