Open Data Albania ka përditësuar të dhënat e stokut të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në ekonominë shqiptare. Të dhënat janë sipas Bnakës së Shqipërisë. Stoku i IHD-ve përfaqëson vlerën e aseteve që zotërojnë të huajt në ekonominë shqiptare, në formën e kapitalit dhe huave që ata kanë dhënë për kompanitë rezidente.
- Në fund të vitit 2020, stoku i Investimeve të Huaja Direkte në ekonominë shqiptare arriti 8.82 miliardë (8 miliardë e tetëqind e tetëdhjetë e dy milion) Euro, çka shënon vlerën më të lartë historike.
- Në fund të tremujorit të parë të vitit aktual 2021 Stoku i Investimeve të Huaja Direkte shënoi 9 miliardë Euro.
- Vlera e aseteve që të huajt zotërojnë në Shqipëri ka ardhur në rritje nga viti në vit, dhe nga 3.9 miliardë (tre miliardë e nëntëqind milion) Euro që ishte në vitin 2012 ka kaluar vlerën 9 miliardë euro në fund të tremujorit të parë të vitit 2021.
- Stoku i IHD-ve në Shqipëri karakterizohet nga trend rritës, konkretisht nga viti 2012-2020 rritja totale rezulton me plus 4.9 miliardë Euro ose shtesë 126 % më e lartë se stoku në vitin 2012.
- Rritja më e lartë vërehet në vitin 2018, përkatësisht 15.5 për qind më e lartë se viti 2017 ose rreth 1 miliardë euro më shumë investime.
Open Data Albania ka hulumtuar edhe origjinën e investimeve të huaja direkte në Shqipëri sipas vlerave dhe viteve.
- Zvicra, Holanda dhe Kanadaja janë tre vendet aktualisht me vlerat më të larta të Stokut të Investimeve Direkte.
- Deri 2017, fqinji ynë jugor Greqia ishte vendi me më shumë Investime të Huaja Direkte në Shqipëri.
- Vendi me stokun më të lartë të IHD-ve, që nga viti 2018 e zë Zvicra. Në fund të vitit 2018 stoku i investimeve të kompanive zvicerane në Shqipëri ishte 1.3 miliardë euro ose 18 %, ndërsa në vitin 2020, stoku i investimeve arriti vlerën 1.66 miliardë euro ose 19 për qind e totalit. Sikurse konstatohet Zvicra ka pasur një rritje shumë të lartë të stokut të IHD-ve, konkretisht është vendi me rritjen më të lartë të vlerës së investimeve, nga viti 2014 deri në fund të vitit 2020, rritja rezulton rreth 1.58 miliardë lekë. Në rastin e Zvicrës, rritja e investimeve të huaja i dedikohet kryesisht investimeve në sektorin energjitik, si gazsjellësit Transadriatik, por edhe investime të tjera si në raifnerinë e Ballshit etj.
- Vendi i dytë me peshën më të lartë të investimeve të huaja në Shqipëri në fund të vitit 2020 rezulton Holanda e cila përbën 16% të portofolit të IHD-ve në Shqipëri, ose 1.4 miliardë euro. Holanda ka pasur një rritje të konsiderueshme të investimeve në vendin tonë, përkatësisht nga viti 2014-2020 janë investuar 916 milionë Euro më shumë. Për Holandën rritja ka ardhur nga kompania e naftës Shell, por edhe si pasojë e faktit se një sërë kompanish Partneritet Publik Privat që veprojnë në Shqipëri janë regjistruar në Holandë.
- Vend investitor me impakt të lartë në ekonominë shqiptare është edhe Kanadaja, e cila përbën 13 % të portofolit të IHD-ve, ose rreth 1.13 miliardë Euro. Që prej vitit 2014-2020 fluksi i investimeve nga Kanadaja në Shqipëri është rritur me 404 milion Euro.
- Italia gjithashtu përbën një pjesë të rëndësishmë të investimeve të huaja që ka përfituar Shqipëria ndër vite. Aktualisht 10% e portofolit të IHD-ve zotërohet nga kompani italiane, investimi i të cilave e kalon vlerën 873 milionë euro. Kompanitë italiane kanë rritur investimin në Shqipëri ndër vitë ,nga viti 2014 deri në fund të vitit 2020 investimet janë rritur me 350 milion euro. Italia dominon në sektorin e Industrisë përpunuese, Energjisë Elektrike, Gazit, Ujit, Ndërtim dhe Shërbimet të tjera.
Shtete të tjera me peshë për sa i përket Investimeve të Huaja Direkte në Shqipëri janë Turqia me 7%, Austria me po 7%, Bullgaria me 6%, Greqia me 6%, Franca me 4%, ndërsa 12 % përbëhet nga vende të tjera, si: Qipro, Gjermani, SHBA, Hungari, Mbretëri e Bashkuar, Slloveni, Luksemburg, Panama, etj.
- Greqia, ka rënie të stokut me 649 milionë euro nga viti 2014 deri në 2020, duke ndryshuar pozicionimi e vendeve në portofolin e IHD-ve në Shipëri. Greqia ka qenë investitori më i madh deri në fund të vitit 2017, më pas ra në vendin e dytë dhe në 2019 dhe 2020 radhitet në vendin e tetë përsa i përket peshës se investimeve të huaja ndaj totalit. Investimet greke në vend përgjithësisht janë të shtrira në sektorin bankar, atë të telekomunikacioneve, por edhe sektorë të tjerë prodhues.
Gjithashtu vende të tjera që kanë ulur stokun e investimeve në Shqipëri nga viti 2014-2020 janë: Kuvajt, Ishujt Kajman, Ishujt Britanikë dhe nga Organizatat Ndërkombëtare.
Bullgaria nga viti 2019 shfaqet ndër 10 vendet me një peshë të lartë përkatësisht 6% të totalit ose 535 milionë euro. Së fundmi rritja vjen kryesisht nga investime në prodhimin e energjisë dhe rrjeteve elektrike dhe në telekomunikacion.