Pritet rritje e theksuar e çmimeve të derivateve në Kosovë

Kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës Fadil Berjani, ka thënë se në ditët në vijim pritët të ketë rritje të theksuar të çmimeve të derivateve në Kosovë.

Në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kjo rritje është e imponuar nga tregjet ndërkombëtare, për të cilën gjë Kosova s’mund t’i bëjë ballë rritjes së çmimeve. “Momentalisht çmimi i naftës për diel sillet nga 1.10 euro, ndërsa për benzinë deri në 1.20. Sa i përket rritjes së cenimeve dihet që kjo është e përcaktuar nga berza ndërkombëtare dhe Organizata Prodhuese e Naftës (OPEC). Ka reduktim të prodhimit në nivel global dhe si rrjedhojë kemi rritje të çmimit në mënyrë automatike. Prandaj, ditëve në vijim pritët që çmimet e derivateve të kenë rritje të theksuar”, ka deklaruar Berjani.

Kujtojmë se në mëngjesin e ditës së sotme u raportua në mediet globale se nafta Bruto amerikane (WTI) është rritur në nivelin më të lartë në 6 vitet e fundit, pasi vendet e prodhimit të saj dështuan të arrijnë një marrëveshje mbi kuotat e prodhimit pas muajit gusht.

Reklama e sponzorizuar