Telekomi gjobitet me 10 milionë euro nga ARKEP

Autoriteti Rregullativ i Komunikimieve Elektronike (ARKEP) ka gjobitur Telekomin e Kosovës me gjithsej 10 milionë euro, shkaku i moszbatimit në tërësi të kodit shtetëror +383.

E gjithë kjo ka ndodhur shkaku që Telekomi i Kosovës pas krizave financiare viteve të fundit, nuk po arrin t’i zëvendësojë numrat e telefonit me kodin e ri +383, përcjell Buletini Ekonomik.

Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, gjatë mbledhjes së sotme raportoi kryesuesi i Bordit të ARKEP-it, Naim Rrahimi, i cili me këtë rast tha se fillimisht ishte gjobitur edhe IPKO edhe Telekomi, por pastaj IPKO kishte bërë zbatimin e kodit në tërësi dhe Telekomi ka mbetur ende pa e përmbushur këtë kriter, prandaj ka ardhur deri te gjobitja.

Reklama e sponzorizuar

“E kemi vendimin 14-77 që me automatizëm për mos zbatimin të kësaj çështje operatori Telekomit gjobit me 5 mijë euro. Fillimisht janë gjobitur edhe IPKO edhe Telekomi, më pastaj IPKO ka bërë zbatimin, ka mbetur Telekomi dhe tash në vazhdimësi derisa nuk përmbushet ky kriter ne e gjobisim. Veprimet tjera duhet të shohim në vazhdimësi. Por, çështja për mos zbatimin janë problemet financiare të Telekomit”, tha Rahimi para deputetëve të Komisionit.

Gjendjen e rëndë financiare në Telekom, kreu i ARKEP-it, e dha me shpjegimin se Bordi i kaluar i kësaj ndërmarrjeje kishte insistuar të gjejë një zgjidhje, por sipas tij, ka mundur të ndodhë edhe më keq të Telekomin.

“Bordi i kaluar në vazhdimësi ka negociuar me Telekomin, kanë ndarë këstet në nën këste, pastaj nën këstet kanë filluar me i ndarë edhe nën këste të tjera që e ka sjellë situatën deri këtu që nuk ishte dashur. Ka pasur tendencë veprimi konkret për përmbarim, është stopuar procesi si pasojë e kërkesës të Ministrisë në mënyrë që me gjetur një zgjidhje. Falimenton, nëse sot e çon te përmbaruesi”, theksoi tutje Rahimi.

Ndërkohë, gjatë shqyrtimit të Raportit të ARKEP-it për vitin 2020, anëtari Driton Hyseni ka vlerësuar se kjo gjobë në kohën kur Telekomi gjendet në një krizë të rëndë financiare që nuk arrin t’i sigurojë madje as pagat është e pa përballueshme.

Ani pse Telekomi ka bërë ankesë në Autoritetin e Konkurrencës, por nuk ka parashtruar padi për këtë gjobë.

“Si rrethanë e mos migrimit me kohë nga Telekomi, a është në vazhdim ende ky penalizm financiar që obligon nga 5 mijë euro në muaj Telekomin e Kosovës. A është duke u monitoruar Telekomi dhe a është duke bërë progres në këtë drejtim që mua po më duket barrë e madhe financiare për një kompani e cila as pagat e punëtorëve nuk mundet me ua siguruar. Kështu që kemi një autoritet i cili në një farë forme e sfidon edhe në këtë formë Telekomin. Pra, duket edhe një goditje e frontale për ta”, theksoi Hyseni.

Në vazhdim edhe deputeti Pal Lekaj theksoi se në objektet e kultit ka të vendosura antena ilegale të operatorit mobil serb MTS, duke thënë se ka edhe informacione që ARKEP nuk ka qasje më në këto objekte.

Kurse Rahimi nga ARKEP-i e pranoi se nuk kanë qasje në objektet e kultit, por theksoi se që nga viti 2010 kur janë marrë aksionet në veri dhe enklave serbe është shkatërruar infrastruktura ilegale e operatorëve serb.

“Është e vërtet që në objektet e kultit fetar qasja është e kufizuar dhe nuk mund të hyjmë brenda, por megjithatë ne kemi pajisje që prej distancës së caktuar mund t’i verifikojmë. Unë e di se prej aksionit që ka qenë në vitin 2010, eliminimi dhe konfiskimi i gjithë infrastrukturës që kanë pasur. Një kohë të caktuar kanë ofruar shërbime, mirëpo më tutje nuk kemi mundur të depërtojmë ose të ndërmarrim ndonjë veprim”, vazhdoi ai. /Buletini Ekonomik/