Bizneset që s’ua paguan punëtorëve Trustin mund të përballen me konfiskim të pasurisë

Qindra qytetarë deri më tani kanë raportuar në Administratën Tatimore të Kosovës, punëdhënësit që atyre nuk ua kanë paguar kontributet pensionale. Nga ATK-ja kanë konfirmuar për Express, që deri më tani kanë pranuar 102 thirrje për këtë çështje si dhe 29 ankesa përmes postës elektronike. Në ndërkohë në Kosovë vazhdon të jetë i lartë numri i punëtorëve që punojnë pa kontrata pune e duke mos iu paguar kontributet pensionale.

131 persona i janë përgjigjur thirrjes së ATK-së për të raportuar punëdhënësit që nuk ua kanë paguar kontributet pensionale. Me miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike është lejuar edhe tërheqja e 10% të Trustit, gjë që ngjalli reagim tek qytetarët që kontributet e tyre nuk janë paguar nga punëdhënësit. Lidhur më këtë reagoi menjëherë ATK-ja që i ftoi qytetarët që ti raportojnë rastet e tilla.

Nga Zyra për Informim në ATK, kanë thënë për Express se përmes adresës elektronike kanë pranuar 29 ankesa, si dhe 102 thirrje nga punëtorët që nuk u janë paguar kontributet nga shefat e tyre.

Reklama e sponzorizuar

“Numri i ankesave për mos pagës të kontributeve pensionale nga punëdhënësi deri më tani përmes adresës elektronike është 29. Ndërsa, thirrje ta pranuara në Qendrën e Thirrjeve deri dje ka qenë 102 thirrje.  Këto thirrje përfshijnë vetëm numrin e thirrjeve denoncuese nga të punësuarit për punëdhënësit për mospagesë të kontributeve pensionale dhe mos regjistrim në listë të pagave”, thuhet në përgjigje.

E mbledhja e mjeteve nga punëdhënësit, sipas zyrtarëve të ATK-së do të bëhet përmes procedurave ligjore për mbledhje të detyrueshme.

Madje sipas tyre mundësia e fundit është edhe konfiskimi i pasurisë.

“Ne mund të ju konfirmojmë se në rastet kur kemi biznese të cilat nuk kanë arritur të paguajnë në kohë detyrimet tatimore dhe të KP, ATK-ja zhvillon procedurat e njëjta ligjore për mbledhjen e borxhit  sikurse për tatime edhe për KP, pra zhvillohen të gjitha procedurat e mbledhjes së detyrueshme  deri në procedurën e konfiskimit të pasurisë. Pra ATK zhvillon procedura të njëjta si për tatime dhe KP dhe nuk ka dallime në ketë drejtim”, thuhet më tutje në përgjigje.

Në ndërkohë më 4 dhjetor të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Përmes këtij projektligj mes të tjerash parashihet tërheqja e 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale në  Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trust.