Telekomi padit Dardafonin në Arbitrazh

Telekomi i Kosovës dhe kompania Dardafon janë duke u përballur sërish në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Të dyja e kanë paditur njëra tjetrën për dëme të shkaktuara nga kontrata që kishin për Z-Mobile. Këtë e ka bërë të ditur Auditori i Përgjithshëm në raportin e auditimit për Telekomin të vitit 2020.

Dardafon, e cila është në pronësi të Blerim Devollit, ka ushtruar një padi të dytë në Arbitrazh me një pretendim prej 50 milionë eurove.

Reklama e sponzorizuar

Padia i referohet mos vazhdimit të Marrëveshjes Bazë për MVNO dhe mos ofrimit të disa shërbimeve gjatë periudhës së Marrëveshjes bazë.

Ndërsa Telekomi ka ushtruar kundër-padi me një pretendim prej 56 milionë eurove ndaj Dardafon. Padia ndërlidhet në disa baza të dëmtimit të kompanisë nga Marrëveshja bazë.

“Seanca kryesore për këtë proces dhe vendimi i arbitrazhit pritet të përfundojnë deri në fund të vitit 2021”, thuhet në raportin e Auditorit.

Ndryshe këto dy subjekte ishin përballur edhe më herët në Arbitrazh. Rastin e kishte fituar Dardadon në padinë 26 milionë euroshe. /Buletini Ekonomik/