Kompania Rajonale e Ujësjellësit, “KRU Prishtina” lë pa kontrata 113 mijë e 865 konsumator të ujit.
Sipas auditorit të përgjithshëm, vetëm gjatë vitit 2020-të kjo kompani kishte regjistruar 7,502 konsumator të rinj, ku vetëm 3,218 prej tyre ishin pajisur me kontrata.
“Sipas regjistrit të konsumatorëve, Kompania ofron shërbime për 148,777 konsumatorë, ndërsa deri në fund të vitit 2020 ka lidhur kontrata vetëm me 34,912 prej tyre” thuhet në raportin e ZKA-së për KRU Prishtina për vitin 2020.
Në bazë të dhënave të auditorit, mungesa e marrëdhënies kontraktuale me konsumatorë për shërbimet e ofruara përveç që krijon pa pajtueshmëri ligjore, pamundëson aplikimin e masave ligjore ndaj këtyre konsumatorëve në rast të mos pagesës së borxhit.
Sipas departamentit për konsumator shkak për këtë ishte mungesa informacionit me rastin e regjistrimit të këtyre konsumatorëve të rinj nga departamenti i shitjes.
Auditori i rekomandon bordit të drejtorëve që të sigurojë, lidhjen e kontratave me të gjithë konsumatorët dhe në veçanti asnjë konsumator ri të mos regjistrohet në regjistrin e konsumatorëve pa kontratë. /Buletini Ekonomik/