Vazhdon fluksi i arritjes së bashkatdhetarëve në Kosovë, në pikat kufitare nuk ka pritje të gjata

Përkundër fluksit të madh të bashkatdhetarëve, që po vijnë për pushime nga vendet perëndimore, në pikat kufitare të Kosovës me vendet fqinje nuk ka pritje të gjata.

Mëngjesin e sotëm nuk janë regjistruar pritje më të gjata se 15 minuta për të hyrë në Kosovë, në vendkalimet kryesore kufitare me Serbinë, në Merdare, te Dheu i Bardhë dhe në Jarinje.

Ndërsa, pritje deri në 15 minuta janë regjistruar edhe në vendkalimin në Vërmicë, për të hyrë në Shqipëri, kryesisht të qytetarëve të Kosovës që kanë mësyrë bregdetin shqiptar për pushime, raporton Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Pritje deri në 15 minuta janë regjistruar edhe në vendkalimin Hani i Elezit, për të hyrë në Kosovë nga Maqedonia e Veriut.

Një numër i madh i mërgimtarëve po vijnë për pushime në Kosovë përmes linjës ajrore, prandaj edhe është shtuar fluksi i aterrimeve në Aeroportin e  Prishtinës.

Shoferët mund të informohen për gjendjen në vendkalimet kufitare në kohë reale duke klikuar KËTU.