ATK: Përfitoni nga pakoja e ringjalljes ekonomike

Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) duke u bazuar në vendimin e qeverisë lidhur me pakon e ringjalljes ekonomike, ka zhvilluar aplikacionin në mbështetje të punësimit të grave dhe tashmë punëdhënësit mund të parashtrojnë kërkesat e tyre për të përfituar nga këto masa.

ATK thotë se të drejtë aplikimi kanë shoqëritë tregtare të regjistruara dhe punëdhënësit sipas legjislacionit të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

ATK po ashtu sqaron se aplikimi bëhet përmes Sistemit elektronik EDI të Administratës Tatimore të Kosovës përmes formularit të veçantë që është i qasshëm në EDI. Sipas ATK-së, përmes Sistemit elektronik EDI, punëdhënësit kanë mundësi të aplikojnë për të përfituar nga masat e Pakos së e Ringjalljes Ekonomike.

“ Masa 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë – Subvencionim i pagës deri në 50% të pagës mujore bruto për 3 muaj; Masa 1.2 – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar – Subvencionim i kontributit pensional në vlerë prej 10% të pagës bruto mujore për më së shumti 12 muaj, duke filluar nga muaji korrik 2021 deri në muajin qershor 2022; dhe Masa 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave – Subvencionim i pagës deri në 50% të pagës bruto mujore për 3 muaj, ndërsa pas përfundimit të periudhës tremujore subvencionohen kontributet pensionale për muajt e mbetur, konform kritereve dhe kufizimeve të përcaktuara me vendimin për zbatimin e masës 1.2 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve nr. 40/2021, të datës 29 korrik 2021″, thuhet në njoftimin e bërë për media.

Tutje, në njoftim thuhet se,  aplikimi është i hapur nga sot dhe deri më 15 tetor 2021 në ora 24:00.

Udhëzuesin për aplikim për subvencionim sipas masave të lartëcekura, e gjeni në dritaren ku edhe bëhet kërkesa, si dhe në ueb-faqe të ATK-së www.atk-ks.org në linkun Multimedia – Manuale & Prezantime.