Banka e Shqipërisë ul blerjet e Euros për rezervën valutore

Banka e Shqipërisë uli ndjeshëm blerjet e Euros në ankandin e radhës që u zhvillua ditën e premte.

Sipas informacioneve nga tregu, në ankand u ble shuma minimale e planifikuar në raundin e parë, prej katër milionë Eurosh. Blerjet u realizuan me një kurs mesatar të ponderuar prej 121.91 Lekësh, kurs ky disi më i ulët se kursi mesatar zyrtar në blerje i datës 20 gusht (122.08 Lekë).

Shuma totale e ofruar për t’u shitur nga pjesëmarrësit në ankand ishte 7 milionë Euro, ndjeshëm më e ulët krahasuar me ankandet e mëparshme të zhvilluara gjatë këtij viti. Ndryshe nga ankandet e tjera të zhvilluara këtë vit, Banka e Shqipërisë nuk shfrytëzoi opsionin e blerjes në raundin e dytë.

Reklama e sponzorizuar

Të dhënat e ankandit të fundit tregojnë se Banka e Shqipërisë e ka ulur ndjeshëm shumën e blerë krahasuar me muajt e mëparshëm. Në ankandin e fundit të muajit korrik shuma e blerë në total kishte qenë 10.7 milionë Euro. Ulja e shumave të blera në ankand mund të jetë bërë për të minimizuar ndikimin e Bankës së Shqipërisë në kursin e këmbimit valutor, që gjatë sezonit veror përgjithësisht karakterizohet nga një mbiçmim i monedhës vendase.

Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë bëhen në funksion të menaxhimit të rezervës valutore dhe nuk kanë për qëllim të ndikojnë kursin e këmbimit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të qershorit rezerva valutore kishte vlerën e 3.9 miliardë Eurove, rreth 5.8% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për këtë vit janë planifikuar 14 ankande dhe në total, shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë është deri në 84 milionë Eurove. Por, zakonisht Banka e Shqipërisë ushtron edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, ndaj shumat e blera priten të jenë më të mëdha.

Nga fillimi i vitit, Banka e Shqipërisë po aplikon rregulloren e re “Për ndërhyrjet në tregun e brendshëm valutor”. Rregullorja e re lë hapësira që në ankande, veç bankave, të marrin pjesë edhe zyrat e këmbimit valutor, nëse kjo vlerësohet e nevojshme nga Banka e Shqipërisë. Për pjesëmarrësit në ankand është hequr shuma tavan prej 5 milionë Eurosh e parashikuar në rregulloren e mëparshme, ndërsa për pjesëmarrje kërkohet vetëm një shumë minimale në vlerën 100 mijë Euro ose ekuivalentin në monedha të tjera.

Të premten Euro u këmbye me 121.8 Lekë, duke shënuar një rritje me afërsisht 0.6 pikë krahasuar me një javë më parë. Pasi nënçmimi sezonal i Euros arriti pikun më datë 11 gusht, javën e kaluar monedha Europiane rifitoi disi terren në kursin e këmbimit me lekun. Këtë vit efekti sezonal i turizmit në kursin e këmbimit ishte më i fortë krahasuar me vitin e kaluar. Niveli minimal i Euros deri tani ka qenë 121.18 Lekë, vlerë kjo rreth dy pikë më e ulët krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, Euro nuk preku nivelet që pati regjistruar në verën e vitit 2019, kur pati arritur deri në 121.75 Lekë./monitor.al/