Këshilli i Investimeve ka nxjerrë disa vlerësime rreth ndikimit të pandemisë tek sipërmarrjet, ku rezulton se gati 90% e bizneseve janë prekur nga Covid. Nga anketimi I zhvilluar rreth 89% e kompanive konfirmojnë pasojat shumë negative në aktivitetin e tyre, ndërsa turizmi, industria dhe tregtia rezultojnë sektorët më të prekur.
Në ankëtë morën pjesë 427 kompani nga të gjitha qarqet e vendit.
Vrojtimi përfshin periudhën kohore Prill 2020 – Prill 2021. Më shumë japë prekur sipërmarrjet me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë si dhe ato nga 8 deri në 14 milionë lekë, ndërsa 65% e bizneseve të anketuara deklaruan ulje me më shumë se 20% të xhiros së tyre.
Kriza nuk ndikoi në rreth 8% të të anketuarve, ndërsa 1.9% e kompanive përjetuan një rritje me më shumë se 5%.
E ardhmja parashikohet me pezimizëm për disa sektorë edhe për këtë vit. Sipas anketës, 40% e bizneseve të pyetura presin rënie të të ardhurave në 2021, kryesisht sektorët e industrisë, ndërtimit si dhe shërbimeve.
Ndërsa më optimiste janë sipërmarrjet në fushat e tregtisë dhe turizmit. Ato presin një rritje të xhiros pas goditjes që morën një vit më parë, si rrjedhojë e sezonit turistik.
Më shumë se gjysma e kompanive të anketuara deklaruan se nga prilli i shkuar deri në prill 2021 kanë ndërprerë aktivitetin pjesërisht, ndërsa 15.2% e tyre u shprehën se e ndërprenë atë totalisht kjo veçanërisht në sektorin e turizmit.
Mungesa e klientëve, mungesa e likuiditet si dhe pamundësia për shlyerjen e detyrimeve tatimore renditen edhe si ndër problemet më të mëdha që po has biznesi këtë periudhë.









