Cilat janë profesionet më të kërkuara në tregun ndërkombëtar të punës?

Teknologjia e informacionit dhe mjekësia janë aktualisht dy ndër sektorët më të kërkuar nga tregu i jashtëm i punës.

Përfaqësues nga agjenci private të punësimit në Shqipëri thanë për A2 se nevoja e rritur për këto profesione ka ardhur edhe si pasojë e kushteve të diktuara nga pandemia Covid-19.

“Një kërkesë të madhe pati pjesa IT se ishte i vetmi pozicion që mund të punonin si në shtëpi dhe në zyrë. Pati kërkesa edhe nga siguria, si personeli mjekësor. Këtu u pa dhe mungesa që ne patëm për pjesën e infermierëve”, shprehet Ergesta Stërmasi, eksperte e punësimit, transmeton Albinfo.ch.

Reklama e sponzorizuar

Për kompani të punësimit, problem vijon të mbetet kualifikimi profesional, sidomos në fushën e teknologjisë.

“Ne kemi një boshllëk shumë të madh për sa vjen nga zhvillimi i tyre në universitet. Universiteti nuk është edhe aq i avancuar në teknologji. Ka ngelur në gjërat parimore se çfarë është informatika dhe në terma të përgjithshme. Kompani të ndryshme kanë filluar të japin leksione në universitete duke marrë bërthamën e studentëve që mendojnë se janë një prurje e mirë në kompaninë e tyre”, thotë Stërmasi.

Një theks i veçantë nga operatorët e punësimit vihet te inventarizimi i nevojave të tregut. Sipas tyre, kjo do të ndihmonte si në identifikimin e nevojave të tregut, ashtu dhe orientimin e politikave efikase në përgatitjen e kandidatëve të kualifikuar.