Çka duhet të bëni nëse iu shkelen të drejtat e juaja si konsumator?

Në përditshmëri, qytetarët ballafaqohen me padrejtësi nga më të ndryshmet, si në tregje, si në dyqane rrobash, e padyshim edhe nëpër markete e supermarkete. Këto padrejtësi manifestohen direkt me shkeljen e të drejtave tuaja si konsumator.

Mirëpo, juve si konsumator patjetër që iu mundësohen zgjidhje për të përmbushur të drejtat e juaja, duke u ankuar në organet përkatëse.

Kjo, pasi që Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit në Kosovë parasheh tri forma se si konsumatorët mund të kërkojnë plotësimin e të drejtave të tyre.

Reklama e sponzorizuar

Nëse iu shkelen të drejtat e juaja si kosnumator, ju duhet të ankoheni fillimisht të tregtari përkatës, që është njëra prej zgjidhjeve fillestare, pastaj të ankoheni te organet përgjegjëse, siç është Departamenti për Mbrojtejen e Konsumatorit, ose duke u ankuar direkt në Gjykatë nëse s’përfillen kërkesat e tua, përcjell Buletini Ekonomik.

‘Mbrojtësit e Konsumatorëve’ në kuadër të këshillave për konsumatorët që po i njoftojnë çdo ditë për të drejtat e tyre që iu garantohen me ligj, përmes faqes së tyre në facebook, u sygjerojnë konsumatorëve se nëse pas ankesës te tregtari dhe ai nuk iu merr parasysh, ankohuni direkt te Departamenti për Mbrojtjen e  Konsumatorit, përmes emailit ose përmes numrit pa pagesë të tyre.

Ky Departament funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe i trajton ankesat e konsumatorëve, edhe atë në afate të shpejta kohore.

“Sa herë që tregtari nuk të merr parasysh, ankohu te DMK – Departamenti per Mbrojtjen e Konsumatorit online përmes webfaqes së tyre: https://konsumatori.rks-gov.net/complaintPost.php ose numrit pa pagesë: 0800 11 000”, thuhet në njoftimin e Mbrojtësve të Konsumatorëve.

Megjithatë, edhe ju si konsumator duhet të bëni kujdes me ankesat pasi që ankesat duhet të përmbajnë informata të plota dhe të sakta, dhe të mos harroni ta paraqisni edhe kuponin fiskal kur parashtroni ankesë. /Buletini Ekonomik/