Durmishi: 37 % e rrugëve nuk kanë kontrata për sinjalistikë

Rreth 40 për qind e rrugëve në Kosovë nuk janë të mbuluara me kontratë për sinjalistikë. Ndërkohë, që vetëm në dy javët e fundit janë shpërndarë dhjetë gjoba për kompanitë që punojnë në ndërtim të rrugëve.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kanë mbajtur konferencë për sigurinë në trafikun dhe infrastrukturën rrugore. Të dyja këto u kanë bërë thirrje të gjitha kompanive që punojnë në ndërtim të rrugëve që të kenë kujdes edhe t’i respektojnë kushtet e kontratës.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi nga Pestova ka thënë se shumë vend-punishte kanë mbetur të pasiguruara dhe të njëjtave u mungon sinjalistika e duhur.

Reklama e sponzorizuar

“Ne sot jemi këtu bashkë me Policinë e Kosovës që të paraqitemi para publikimit për një projekt të përbashkët, ku e kemi rritur intensitetin e inspektimeve në të gjitha punishtet që ndodhën në rrugët e Kosovës, sa i përket sigurisë rrugore. Siç e dini kur ne kemi ardhur në qeverisje, kemi gjetur një numër shumë të madh të projekteve të cilat kanë qenë të bllokuara dhe me vite të tëra nuk janë zhvilluar punimet aty. Kanë mbetur vend punishtet në shumë vende të pasiguruara dhe në shumë vende pa sinjalistikën e duhur sa i përket aspektit të sigurisë rrugore”, ka thënë ai.

Ai ka folur për tenderin në procedurë, duke shtuar se rreth 40 për qind e rrugëve nuk janë të mbuluara me kontratë për sinjalistikë.

“Diku 37 për qind të rrugëve nuk janë të mbuluara me kontrata për sinjalistikë, për shkak se nuk ka pasur kontrata prej vitit 2017 deri më tani. Tani ne kemi shpallur tenderin për sinjalistikë dhe është në procedurë. Besoj që shumë shpejt do të përfundojmë procedurat e prokurimit në mënyrë që të nënshkruajmë këto kontrata”, ka njoftuar Durmishi.

Ai ka theksuar se kanë rritur numrin e inspektimeve dhe kanë filluar të shqiptojnë gjoba për ata që nuk zbatojnë kushtet e kontratës.

Në anën tjetër, drejtori i divizionit të komunikacionit rrugor në Polici, Jeton Rexhepi ka treguar për numrin e gjobave që kanë shqiptuar gjatë kësaj kohe.

“Policia e Kosovës ka bërë një inspektim të të gjitha punimeve. Diku janë 50 inspektime, që nënkupton janë 50 takime me përgjegjësit e këtyre punimeve. Dhe vetëm dy javët e fundit në ato lokacione ku ne kemi dhënë vërejtje dhe ku kemi kërkuar që të përmirësohet dhe plotësohet me sinjalizim, deri më tani janë 10 gjoba që janë realizuar ndaj përgjegjësve që nuk kanë sinjalizimin e mjaftueshëm dhe të duhur për t’i siguruar pjesëmarrësit në trafikun rrugor”, ka njoftuar ai.

Zëvendësministri Durmishi u ka bërë thirrje kompanive që të respektojnë kushtet e punës, sepse në të kundërtën do të ndërmerren masa ligjore.

“Të gjitha kompanitë që punojnë në ndërtim të rrugëve, në bazë të kushteve të kontratës e kanë obligim që të sigurojnë vend-punishten, që ta kenë sinjalistikën e nevojshme në mënyrë që qarkullimi edhe të zhvillohet pa pengesa, por edhe të mos ndodhin aksidente në komunikacion për shkak të sinjalistikës. Prandaj unë sot iu bëjë thirrje të gjitha kompanive që punojnë në ndërtim të rrugëve që të kenë kujdes edhe t’i respektojnë kushtet e kontratës, sepse në të kundërtën do të ndërmerren masa sipas ligjeve që janë në fuqi”, ka shtuar ai. /Kp/