FMN alokon 650 miliardë SDR – Rezervat do të përdoren për të luftuar pandeminë e Covid-19

Fondi Monetar Ndërkombëtar-FMN

Fondi Monetar Ndërkombëtar do të shpërndajë edhe rreth 650 miliardë SDR, apo të Drejta Speciale të Tërheqjes për vendet anëtare. Sipas drejtoreshës së FMN, Kristalina Georgieva këto para do të përdoren si pjesë e përpjekjes globale për të luftuar pandeminë e Covid-19.

Kjo është shpërndarja më e madhe e rezervave monetare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe do të ofrojë likuiditet shtesë për ekonominë globale, duke plotësuar rezervat valutore të vendeve anëtare dhe duke zvogëluar mbështetjen e tyre në borxh të brendshëm dhe të jashtëm, që është më i shtrënjtë, njoftoi Georgieva.

Ky alokim është një vaksinë e rëndësishme në krahun e botës dhe, nëse përdoret me mënçuri, do të jetë një mundësi unike për të luftuar këtë krizë të paprecedentë”, u shpreh Georgieva. FMN nënvizoi shqetësimet në lidhje me tendencat e ndryshme në ekonominë globale dhe shtoi se alokimi i ri i SDR-ve do të lejojë vendet më të pasura të ndihmojnë ato që janë goditur më shumë nga pandemia, duke përmirësuar njëkohësisht edhe parashikimin për ekonominë globale.

Reklama e sponzorizuar

Vendet anëtare të FMN do të marrin SDR-të, që është njësia e këmbimit të fondit e mbështetur në dollarë, euro, jen, paund dhe juan, në proporcion me aksionet ekzistuese që zotërojnë pranë fondit. Georgieva shtoi se rreth 275 miliardë dollarë do të shkojnë për vendet në zhvillim dhe rreth 21 miliardë dollarë për vendet me të ardhura të ulëta.

Javën e kaluar, FMN pezulloi aksesin e Afganistanit në burimet e fondit, duke përfshirë edhe këtë alokim, për shkak të mungesës së qartësisë mbi qeverinë e vendit, pasi talebanët morën kontrollin e Kabulit. Alokimi i fundit i SDR-ve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ndodhi në vitin 2009, kur vendet anëtare morën rreth 250 miliardë dollarë rezerva në SDR, për të lehtësuar krizën financiare globale./SCAN TV/