Gati gjysma e të rinjve shqiptar 15-24 vjeç punojnë në fshat

Bujqësia është sektori me produktivitetin më të ulët në ekonomi, por vitet e fundit, pesha e të rinjve të punësuar në këtë sektor ka ardhur në rritje.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në vitin 2019, rreth 46% e të punësuarve në grupmoshën 15-24 vjeç ishin në sektorin bujqësor. Pesha e bujqësisë në punësimin e të rinjve gjatë një viti u rrit me 5.2 pikë përqindje, ndërsa në raport me vitin 2016 u rrit me rreth 9 pikë përqindje.

Në të kundërt, punësimi i të rinjve në sektorët me produktivitet më të lartë ra. Në sektorin e shërbimeve ishin të aktivizuar 40% e të rinjve të punësuar me një rënie 4.4 pikë për qind në raport me vitin 2018 dhe mbi 2 pikë për qind në raport me vitin 2016.

Reklama e sponzorizuar

Sektori i industrisë kontribuoi me 11.5% në punësimin total te të rinjve 15-24 vjeç, me një rënie të lehtë, 0.3 pikë për qind në raport me vitin 2018.

Në sektorin e ndërtimit punuan vetëm 3.9% e totalit të punësuarve, me një rënie 0.5 pikë për qind në raport me 2018 dhe 2.8 pikë për qind në raport me vitin 2016. Edhe pse sektori i ndërtimit u rrit me ritme të shpejta në këto katër vitet e fundit, ai nuk është bërë tërheqës për të rinjtë.

Edhe pse sektori i bujqësisë është kontribuuesi kryesor në punësim dhe në PBB në statistika zyrtare, ka produktivitetin më të ulët në Rajon dhe me gjerë, përderisa importet e produkteve ushqimore më 2020 ishin ati 3 herë më të larta se eksportet e sektorit.

Me gjithë zgjerimin e eksporteve, bujqësia vijon të jetë sektori më pak produktiv i ekonomisë, kurse rritja e të ardhurave nga shitjet po shkon më shumë te zinxhirët e furnizimit se sa te prodhuesit. Në tremujorin e fundit të vitit 2020, paga mesatare mujore bruto në bujqësi ishte rreth 32 mijë lekë, ose 40% më e ulët se paga mesatare në shkallë vendi. Sipas një studimi të Programit Botëror të Ushqimit (FAO), shumica e fermave në vend, ato me sipërfaqe 1 hektar, rezultojnë me humbje dhe prodhojnë vetëm për vetëkonsum.

Ekonomia e Shqipërisë dominohet nga bujqësia e cila edhe pse me zhvillim primitiv, e pa-mekanizuar, e copëzuar dhe mungesë të lartë produktiviteti zuri 19.3 për qind të totalit të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2020, ndërsa në Europë sektori i bujqësisë zuri vetëm 1,3 për qind të totalit të PBB-së, sipas te dhënave të Eurostat.

Pavarësisht zhvillimeve kaotike në sektorin e bujqësisë prej copëzimit të lartë të tokës dhe mungesës së financimeve, sektori shihet me potencial për rritjen e eksporteve. Klima e favorshme, përvoja në kultivim dhe rritja e kërkesës së jashtme i kanë vënë në një trend të qëndrueshëm shitjet. Vitin e kaluar, eksporti i zarzavateve të freskëta që dominohen nga domatet dhe kastravecët, arriti në 8,8 miliardë lekë, ose 72 milionë euro me një rritje vjetore 13.3%. /Monitor.al/

Burimi: INSTAT