Çfarë është IBAN-i? – Cili është qëllimi i përdorimit të tij në Shqipëri?

IBAN-i ose siç njihet ndryshe, numri ndërkombëtar i llogarisë bankare, është numri që banka i përcakton çdo llogarie bankare të klientëve të saj, në përputhje me Standardin Ndërkombëtar ISO 13616.

IBAN-i shqiptar është struktura e numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare e përdorur në Republikën e Shqipërisë, e cila identifikon në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar llogarinë e një klienti pranë një banke/ dege të bankës së huaj, të licencuar nga Banka e Shqipërisë.

Që nga 1 qershori i vitit 2009, të gjithë numrat e llogarive bankare të klientëve, që përdoren për të kryer transferta, në monedhën vendase ose në valutë të huaj, nëpërmjet sistemeve të pagesave apo bankave korrespondente, do të kenë formatin IBAN.

Reklama e sponzorizuar

Cili është qëllimi i përdorimit të IBAN-it në Shqipëri?

Qëllimi i IBAN është të lehtësojë procesimin automatik të transfertave. Përdorimi i IBAN-it synon rritjen e saktësisë së të dhënave të një transaksioni dhe reduktimin e ndërhyrjeve manuale në procesimin e tyre.

IBAN përmirëson cilësinë, eficiencën dhe kohën e shlyerjes së transfertave kombëtare dhe ndërkombëtare, duke siguruar një shkallë sigurie më të lartë.

Me marrjen e urdhrit për kryerjen e një transferte brenda vendit apo drejt një shteti tjetër ku zbatohet standardi i IBAN-it, çdo bankë, përpara kryerjes së transfertës, kontrollon saktësinë e numrit të llogarisë bankare të përfituesit dhe urdhëruesit, nëpërmjet validimit të shifrave të kontrollit.

Rreziku i vonesës apo i moskryerjes së pagesës për shkak të pasaktësive, reduktohet, pasi llogaria bankare e përfituesit të fondeve, kreditohet vetëm nëpërmjet përdorimit të IBAN./Scan tv/