“Infuzioni” që nuk ndalet kurrë, mërgimtarët dërguan miliarda euro në Kosovë

Mërgata vazhdon të jetë një nga burimet kryesore të financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë. Që nga shpallja e pavarësisë, dërgesat e tyre kanë vazhduar të shënojnë rritje. Brenda kësaj periudhe janë dërguar mbi 12 miliardë euro. Vlera më e madhe e parave është dërguar gjatë 2020-s, ku pavarësisht pandemisë, mërgata ka dërguar 1.18 miliardë euro.

Qytetarët e Kosovës ende vazhdojnë të jetojnë e presin mbështetje financiare nga mërgimtarët që jetojnë nëpër shtete të botës. Ata janë “infuzioni” që nuk ndalet kurrë. Madje, remitancat në Kosovë paraqesin kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më tani, llogaritet se mërgimtarët kanë dërguar në Kosovë mbi 12 miliardë euro.

Reklama e sponzorizuar

Shuma e remitancave të dërguara sipas viteve në Kosovë është: 2008 – 858 milionë euro; 2009 – 865 milionë euro; 2010 – 825 milionë; 2011 – 814 milionë euro; 2012 – 775 milionë euro; 2013 – 867 milionë euro; 2014 – 901 milionë euro; 2015 – 796 milionë euro; 2016 – 808 milionë euro; 2017 – 911 milionë euro; 2018 – 1.13 miliardë euro; 2019 – 1.23 miliardë euro dhe 2020 – 1.8 miliardë euro.

Në Kosovë, në vitin 2020, vlera e remitancave, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës ishte rreth 940 milionë euro. Kurse në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e remitancave kap shumën mbi 242.9 milionë euro.

Vlera më e lartë brenda vitit 2020 e dërguar në drejtim të Kosovës ishte në muajin maj, me 104 milionë euro, ndërsa më pak u dërguan në prill, 61.7 milionë euro. Sipas BQK-së, gjatë muajve, janar-mars të këtij viti, remitancat arritën në 243 milionë euro.

“Vlera totale e remitancave për tremujorin e parë të këtij viti (janar-mars 2021), ishte 242.9 milionë euro, që është më e lartë për 55.6 milionë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ku vlera e remitancave ishte 187.3 milionë euro”.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë remitancat kanë shënuar rritje dhe sipas tij, diaspora është shtyllë për ekonominë. “Diaspora është me shumë rëndësi për vendin, remitancat edhe pse ka qenë pandemi, kanë shënuar rritje në Kosovë, duke arritur në gati 1 miliard euro”.

Ai ka ftuar diasporën të investojë në Kosovë. “Ka shumë mënyra se si diaspora të investojë në Kosovë, i ftojmë bizneset nga diaspora të vizitojnë BQK-në për të diskutuar mundësinë që ka sektori financiar për investime”.

Qeveria e Kosovës, me anë të një vendimi vitin e kaluar, synon t’i nxitë bashkatdhetarët që të vizitojnë Kosovën. Në mbledhjen e fundit të ekzekutivit të udhëhequr nga kryeministri Kurti është marrë vendimi që të mbulohen shpenzimet e policës kufitare në vlerë deri në 6 milionë euro për bashkatdhetarët.

 

Nga cilat shtete dërgohen para më së shumti

Për sa u përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Në vitin 2020, del se nga Gjermania kanë ardhur mesatarisht 42.3% e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 22.3% dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 6.4%.

Për periudhën e katërt të vitit 2020, rritja e remitancave është 26.3%. “Në kuadër të bilancit të pagesave, rritje të konsiderueshme në tremujorin e katërt të 2020 kanë shënuar edhe remitancat me 26.3%”, thuhet në raportin e BQK.

“Përkundër faktit se edhe vendet ku janë të koncentruar diaspora kosovare janë goditur shumë nga kriza e pandemisë, remitancat kanë shënuar përshpejtim të rritjes. Rritja e remitancave ka qenë dyshifrore gjatë gjithë periudhës, me përjashtim të muajit mars 2020 dhe prill 2020, kur shënuan rënie”.

Sipas kanaleve të dërgimit, Banka Qendrore e Kosovës thotë se 672 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parave, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.

“Pjesa dërmuese e remitancave, apo 61.5%, kanë ardhur përmes agjencive për transferim të mjeteve, të cilat shënuan rritje prej 54.4% në tremujorin e katërt të 2020-së. Remitancat përmes bankave shënuan rritje prej 29.1%, ndërsa remitencat përmes ‘kanalit jo-formal’ shënuan rënie për 13.6%”.

Gjatë viteve, remitancat kanë pasur rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla. Pjesa më madhe e remitencave, sipas të dhënave të BQK-së, shkojnë për konsum, pastaj në investime, kryesisht në blerje të patundshmërive.

Profesori universitar, Muhamet Sadiku, deklaron se lidhja e bashkatdhetarëve me Kosovën ka qenë gjithnjë e fuqishme dhe ka vazhduar një trend i dërgesave të mëdha, të cilat janë gati sa gjysma e buxhetit të Kosovës, respektivisht rreth 13% e Bruto Produktit Vendos.

“Edhe përkundër problemeve që ka sjellë pandemia, megjithatë lidhja e diasporës me Kosovën ka qenë gjithnjë e fuqishme dhe ka vazhduar një trend i dërgesave të mëdha, të cilat janë rreth 40% e buxhetit të Kosovës, përkatësisht rreth 13% e Bruto Produktit në vend.

Remitancat janë treguar burim i sigurt dhe afatgjatë i zhvillimit ekonomik të Kosovës, pavarësisht se 90% e remitancave shkojnë në mbulimin e konsumit familjar në Kosovë. Kjo është një strukturë e ndërtuar nga niveli i lartë i papunësisë dhe niveli i lartë i varfërisë, prandaj familjet kosovare derisa ekziston kjo situatë sociale…Paratë e diasporës, në një përqindje të vogël, orientohen në investime për hapjen e vendeve të punës”.

Ai thotë se një pjesë e madhe e këtyre parave shkojnë në mbulimin e importit të madh, pasi Kosova ka 2,4 miliardë euro importe në vit. Lirim Krasniqi, hulumtues dhe analist i politikave në organizatën “Germin”, e cila merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë se remitancat gjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës.

“Këto mjete luajnë një element të rëndësishëm të mirëmbajtjes së ekonomisë së Kosovës, por edhe ruajtjes së paqes sociale, pasi remitancat përbëjnë 15% të Bruto Produktit Vendor. Përveç remitancave, diaspora dërgon para edhe përmes kanaleve të tjera joformale”, thekson Krasniqi Ai thotë se shumica e mjeteve financiare të dërguara nga qytetarët e Kosovës, që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shpenzohen për konsum.

“Dhe fatkeqësia e kësaj është se këto mjete, prapë dalin jashtë Kosovës, pasi shumica e produkteve të konsumit ditor importohen në Kosovë nga shtete të ndryshme”.

 

Qeveria lëshon bono thesari për diasporën

Qeveria e Kosovës, në planin qeverisës katërvjeçar, ka paraparë që nëpërmjet krijimit të instrumenteve për investim, kapitali i diasporës të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune. Ky plan i qeverisë, ka paraparë që nga viti i parë i qeverisjes të emetohen bono thesari, të dedikuara për diasporën.

Bonot e Diasporës, që tashmë kanë nisur të lëshohen në Kosovë, janë letra me vlerë të garantuara nga shteti përmes Ligjit mbi Borxhin Publik. Bonot e Diasporës emetohen gjatë periudhës 21 korrik 2021 – 18 gusht 2021.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se është hapur shitja e Bonove të Diasporës, ku do të emetohen Bono me maturitet 3 dhe 5-vjeçar, në shumën 20 milionë euro. Me këtë rast, janë ftuar mërgimtarët që të investojnë përmes Bonove të Diasporës, të cilat mundësojnë që kapitali i tyre të mobilizohet për investime strategjike të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Investimi në Bonot e Diasporës mund të konsiderohet si investimi më i sigurt në Republikën e Kosovës. Shuma minimale për blerje të bonove është 10,000 euro, kurse shuma maksimale për një person në një bankë është 500,000 euro, në mënyrë që të investojnë sa më shumë persona. Afatizimi (maturimi) 3-vjeçar ka normë interesi 1.20%, ndërsa afatizimi 5-vjeçar ka normë interesi 2.20%. Fitimi nga ky investim është i liruar nga tatimi dhe paguhet çdo 6 muaj deri në përfundim të maturimit.

Për detaje rreth pjesëmarrjes në blerjen e letrave me vlerë, të interesuarit të kontaktojnë ndonjërën nga bankat komerciale, partnere në emetimin e Bonove të Diasporës: Banka Ekonomike, Banka Kombëtare Tregtare, Banka për Biznes, NLB Banka, ProCredit Bank, apo Raiffeisen Bank.

Ministri Hekuran Murati kishte deklaruar se bonot do të jenë 3 dhe 5-vjeçare, ku shuma totale do të jetë 20 milionë euro, dhe sipas nevojës, mund të rritet deri në 50%.

“Bono 3-vjeçare dhe 5-vjeçare, periudha e shitjes do të jetë prej 21 korrik deri më 18 gusht. Dhe data e emetimit 20 gusht. Bankat komerciale, me të cilat do të kemi bashkëpunim janë Raiffeisen Bank, ProCredit Bank, NLB banka, BKT, Banka Ekonomike dhe Banka për Biznes. Shuma e ofruar për shitje është 20 milionë euro në të drejtë të rritjes deri më 50% të shumës së ofruar”, kishte thënë Murati.

Kujtojmë se i njëjti propozim ishte dhënë edhe nga ish-ministri i Financave në Qeverinë Mustafa, Avdullah Hoti.

“Këto letra me vlerë, do të sigurojnë mjete për qëllime specifike, siç janë subvencionet për bujqësi dhe për ndërmarrje të vogla. Përmes kësaj forme, diaspora mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe, gjithashtu, përfiton një normë interesi, që është më e lartë krahasuar me normën e interesit nga depozitimi i mjeteve në bankat në vendet ku janë diaspora apo në bankat në Kosovë”.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë banorë.

Qytetarët e Kosovës kryesisht jetojnë në numër më të madh në Gjermani dhe Zvicër dhe remitancat kryesisht, sipas të dhënave të BQK-së, dërgohen nga këto vende.