Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka deklaruar se me shqetësim është duke përcjellur rritjen e numrit të të infektuarve nga COVID-19, prandaj ka iniciuar “Së bashku kundër COVID-19”, ku bën apel për vaksinim të fuqisë punëtore.
Duke pasur parasysh vështirësitë në luftimin dhe ndaljen e përhapjes së virusit COVID-19, OEGJK fton anëtarët e saj dhe bizneset kosovare që të angazhohen për të rikthyer dhe mbajtur normalitetin, dhe për të parandaluar kufizimet eventuale – duke promovuar dhe mbështetur fuqishëm vaksinimin e fuqisë punëtore!
Drejtoresha menaxhuese e OEGJK-së, Nora Hasani thotë se rimëkëmbje të plotë dhe rikthim në normalitet mund të ketë vetëm nëse secili jep kontributin e vet në respektimin e masave dhe në ngritjen e vetëdijësimit për vaksinim. Të vaksinohemi, që të mos ketë mbyllje.
“Duhet siguruar që çdo punonjës që dëshiron ta marrë vaksinën, të përkrahet nga punëdhënësi. Prandaj, anëtarëve tanë dhe bizneseve kosovare ju bëjmë apel që të bashkohen në këtë fushatë për promovim të vaksinimit. Vetëm duke mbajtur fuqinë punëtore të shëndetshme mund ta parandalojmë përhapjen e virusit, dhe evitimin e një mbyllje eventuale”, shpjegon Hasani.
“Së bashku kundër COVID-19” është një përpjekje vullnetare e OEGJK-së për punëdhënësit që duan ta përkrahin publikisht vaksinimin e punonjësve të tyre, duke dhënë kontribut në rritjen e sigurisë nga pandemia dhe rikthimin e normalitetit në biznes.
Bizneset që duan të përkrahin këtë iniciativë vullnetare, mund ta dërgojnë logon e tyre tek OEGJK, që të publikohen në rrjete sociale të OEGJK-së si përkrahës të kësaj fushate.
Nora Hasani thotë se përkrahësit e “Së bashku kundër COVID-19” tregojnë publikisht përkushtimin e tyre ndaj përpjekjeve të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës për ta vaksinuar popullatën. Përmes mbështetjes vullnetare publike po e japin kontributin e tyre për të siguruar që punonjësit mund ta marrin vaksinën kur të jetë radha e tyre.