Kosova mban rekord në deficit tregtar – rriten eksportet me SHBA-në, Serbia vazhdon të jetë importuesi kryesor

Fotografi ilustruese

Kosova gjatë muajit korrik 2021 ka shënuar deficit të lartë tregtar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa Serbia vazhdon të ketë pjesëmarrjen më të madhe të importeve dhe se janë rritur eksportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu thuhet në raportin “Tregtia e jashtme e Kosovës, korrik 2021“, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke shtuar se eksporti mbulon importin me 14.5 për qind.

Sipas ASK-së, eksporti i mallrave për këtë muaj kishte vlerën 62.3 milionë euro, ndërsa importi 430 milionë euro, që është një rritje prej 46.2 për qind për eksportet si dhe 40.4 për qind për importet.

Reklama e sponzorizuar

Të dhënat tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 39.5 për qind në muajin korrik 2021, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 367.7 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 263.6 milion eurosh që ishte vitin e kaluar.

“38 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 16.1 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 10.3 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 8.3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 6.1 për qind e përbëjnë produktet minerale, 5 për qind e përbëjnë produktet bimore dhe 3.6 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Ndërsa, sipas grupeve kryesore për import, produktet minerale përbëjnë pjesën më të madhe.

“Nga të dhënat e grupeve kryesore për import, produktet minerale përbëjnë pjesën më të madhe apo 17 për qind, pasuar nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 13.4 për qind. Kurse, 13.1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9.7 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 9 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, 8 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike dhe 6.4 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre”, njofton ASK.

Qarkullimi i mallrave në tregtinë e jashtme | Burimi: ASK

Agjencia e Statistikave thotë se, eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 20.3 milionë euro, ndërsa importet ishin rreth 194.1 milionë euro.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 20.3 milionë euro ose rreth 32.7 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 13.3 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin Italia me 9.8 për qind, Gjermania me 8 për qind dhe Holanda me 3.1 për qind. Kurse, importet ishin rreth 194.1 milionë euro ose 45.1 për qind e importeve të përgjithshme me një rritje prej 39.8 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 13.4 për qind, Italia me 6 për qind, Greqia me 4.9 për qind dhe Polonia me 3 për qind”, vijon raporti, përcjell Telegrafi.

Në muajin korrik 2021, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 26.9 milion euro, kurse importet ishin 84.1 milionë euro.

“Eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 26.9 milionë euro ose 43.3 për qind të eksporteve të përgjithshme me një rritje prej 58.1 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga këto vende ishin Shqipëria me 17.8 për qind, Maqedonia e Veriut me 12.9 për qind, Serbia me 6.3 për qind dhe Mali i Zi me 4.7 për qind. Ndërsa, importet në muajin korrik 2021 arritën në 84.1 milionë euro ose 19.6 për qind të importeve të përgjithshme me një rritje prej 29.4 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia me 6.9 për qind, Shqipëria me 5.6 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 5.3 për qind”, thotë Agjencia e Statistikave.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 14.9 milionë euro ose 24 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 12.3 për qind dhe Zvicra me 7.2 për qind.

Kurse, importet arritën në 151.7 milionë euro ose 35.3 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 12 për qind dhe Kina me 9.9 për qind.

Viti 2020 – Kosova importoi 3.2 miliardë euro mallra, eksportoi 475 milionë euro

Vendi ynë gjatë vitit të kaluar ka importuar 3.2 miliardë euro, ndërsa ka eksportuar 474.5 milionë euro, ku neto eksporti ka arritur 14.4 për qind. Sipas ASK-së, tregtia e mallrave ishte në vlerë prej 2.8 miliardë eurosh me një deficit tregtar më të ulët për 9.4 për qind sesa viti paraprak.

Duke krahasuar të dhënat e eksporteve për mallrat vendore gjatë vitit të kaluar me atë të vitit 2019, tregohet se ka një rritje vjetore për 23.8 për qind.

“Eksportet sipas sektorëve në këtë vit kishin rritje në artikuj të ndryshëm të prodhuar në vlerë rreth 49.7 milionë euro, produkte të industrisë kimike në vlerë rreth 18.7 milionë euro, produkte bimore në vlerë rreth 31.7 milionë euro, tekstil dhe artikuj tekstili në vlerë rreth 15.2 milionë euro, metalet bazë dhe artikuj prej tyre në vlerë rreth 173.9 milionë euro, mjetet e transportit në vlerë rreth 5.1 milionë euro, artikuj prej guri, allçie, prodhim qeramike dhe qelqi në vlerë rreth 10.4 milionë euro, makineri, pajisje mekanike dhe elektrik në vlerë rreth 20.3 milionë euro, plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre në vlerë rreth 57.1 milionë euro, ushqime të përgatitura, pije, pije alkoolike dhe duhan në vlerë rreth 43.5 milionë euro, letër dhe artikuj prej letre, në vlerë rreth 4.5 milionë euro”, thuhet në raportin “Tregtia e jashtme e Kosovës, viti 2020”, përcjell Telegrafi.

Duke krahasuar me vitin 2019, tregtia e mallrave për importin e Kosovës në vitin 2020 kanë shënuar një rënie vjetore rreth 5.7 për qind.

“Rritje te importet sipas sektorëve janë vërejtur në produktet e industrisë kimike në vlerë rreth 283.9 milionë euro, yndyra në vlerë rreth 32.1 milionë euro, instrumentet optike, mjekësore, fotografike, muzikore në vlerë rreth 45.1 milionë euro, produktet bimore në vlerë rreth 163.9 milionë euro, plastika, goma dhe artikujt prej tyre në vlerë rreth 224.5 milionë euro, makineria, pajisjet mekanike dhe elektrike në vlerë rreth 434.9 milionë euro dhe ushqimet e përgatitura, pijet, pijet alkoolike dhe duhani, në vlerë rreth 422.2 milionë euro”, tregon ASK.

Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 163.4 milionë euro ose rreth 34.4 për qind e eksporteve të përgjithshme me një rritje prej 28.5 për qind.

Gjatë vitit 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 210.7 milionë euro ose 44.4 për qind të eksporteve të përgjithshme ku kishte rritje prej 27.8 për qind.

Për sa i përket eksporteve të Kosovës me vendet e treta, për vitin 2020 kanë arritur në100.6 milionë euro ose një rritje prej 21.2 për qind.