Të jesh një drejtues i mirë kërkon shumë kohë, përpjekje dhe vetëreflektim. Ju mund të bëni shumë gjëra për të mbështetur punonjësit – si t’i ndihmoni për t’u zhvilluar, të njihni arritjet e tyre dhe t’i ndihmoni të rriten në rolet aktuale.
Pjesa më e madhe e sipërmarrësve dhe drejtuesve njohin bazat që duhen për të menaxhuar një skuadër dhe me kalimin e kohës, bëhen më të zotë në këto aftësi. Por shpesh është diçka e cila lihet pas dore në procesin e menaxhimit, veçanërisht te drejtuesit me pak përvojë: mbrojtja.
Pjesë e punës suaj si drejtues është të ndihmoni ekipin të gjejë një ekuilibër të mirë në punë. Ju dëshironi që ata të jenë të përqendruar në qëllimet dhe objektivat e kompanisë dhe një ekip i mirë, i cili mund të përballojë çdo detyrë apo projekt që del para, do t’ju ndihmojë të rriteni dhe të arrini objektivat. Por për fat të keq, me këtë vjen edhe një listë e gjatë detyrash që nuk janë me të vërtetë të nevojshme.
Ka dy mënyra se si mund të menaxhoni detyrat dhe projektet e kota dhe të padobishme që nuk sjellin vlerë në biznesin tuaj. Ju mund t’ua ngarkoni ato pjesëtarëve të ekipit që merren çdo ditë. Ose mund t’i mbroni ata me çdo kusht. Ju me siguri do ta gjeni se cilën rrugë zgjedhin drejtuesit më të mirë.
Një drejtues i mirë do të analizojë se çfarë bën ekipi çdo ditë dhe do të vlerësojë nëse krijon me të vërtetë vlerë në biznesin e tij. Nëse nuk e bën, atëherë ai duhet të përjashtohet gradualisht.
Si të mbroni kohën e ekipit
A keni me të vërtetë nevojë për X të bëjë një mbledhje çdo dy ditë? Apo koha e tij / saj mund të përdoret më mirë diku tjetër? Nëse është kështu, jepini leje të marrë nën kontroll axhendën dhe të eliminojnë mbledhjet që nuk i shërbejnë projektit apo biznesit. Duket një gjest kaq i vogël, por është kaq i vlefshëm. Në këtë mënyrë ju i bëni të ditur stafit se vlerësoni kohën e tyre dhe jeni të gatshëm t’i mbroni nga detyra në të cilat ata humbin kohë.
A ju duhet me të vërtetë raporti prej katër faqesh i drejtorit të marketingut çdo javë? A e lexoni të paktën? Apo e shfletoni atë për një apo dy tregues të ecurisë dhe më pas e arkivoni te dokumentet e tjera të palexuara? Bëjini të ditur drejtorit të marketingut se koha është e çmuar dhe se ai raport duhet të paraqitet e reduktohet te shifrat kyçe për të cilat keni nevojë për të marrë vendime.
Nëse shpenzoni kohë duke parë gjithë sektorët ku po shpërdoroni burimet e kohës, talentin dhe vëmendjen e anëtarëve më të mirë të ekipit, kjo do të bëjë diferencën. Dhe fakti se ju merrni kohë duke parë ngarkesën e tyre dhe duke bërë përmirësime kur shihni se ata po humbin kohë në gjëra që s’kanë vlerë – do t’ju bëjë më të vlerësuar në sytë e ekipit.
/David Finkel, autor i librit, “The freedom formula: how to succeed in business without sacrificing your family, health, or life”, INC/