Mbeturinat e shumta nëpër rrugët e Kosovës dhe moskujdesi i qytetarëve ndaj natyrës, dy vjet më parë e shtyn Dukagjin Berishën, që të niste një biznes për riciklimin e qelqit.
Që nga ajo kohë, Berisha ka arritur që përmes riciklimit të qelqit, të prodhojë dhjetëra produkte të ndryshme, duke përfshirë kubëza për tokë si dhe tavolina të ndryshme.
“Kam menduar se çfarë të bëj diçka për ta ruajtur ambientin që të kontribuoj edhe unë në këtë çështje dhe e kam zgjedhur riciklimin e qelqit, sepse e kam parë që nuk riciklohet te ne. Dhe kur kam filluar, e kam parë që është një material fisnik dhe e kam arritur atë qëllimin, idenë se çfarë po dua të bëj me të dhe e bëj me shumë vullnet të mirë”, thotë Berisha.
Berisha ka ndërtuar një punëtori të vogël në fshatin Qerim të Komunës së Gjakovës.
Përmes riciklimit dhe shitjes së produkteve, Berisha ka arritur që të fitojë pak para përmes së cilave i paguan punëtorët që merren me riciklim si dhe shpreson që shumë shpejt, të jetë në gjendje ta zgjerojë kompaninë e tij.
“Momentalisht jemi duke i bërë disa kubëza për disa lokale, për disa oborre të disa lokaleve. Jemi duke bërë tavolina. Bëjmë zall për filtrim të pishinave. Zall për dekorime të ndryshme…shumë gjëra. Jemi duke shikuar gjithmonë se sa më shumë të përdorim zallin e qelqit”, thotë Berisha.
Produktet kanë përqindjen më të madhe nga zalli i qelqit të bluar si dhe betoni.
Kompania e Dukagjin Berishës “Kosovo Glass Recycling”, ka lidhur marrëveshje për mbledhjen e shisheve të qelqit me biznese dhe organizata të ndryshme.
Kjo kompani ka dërguar kontejnerët e saj te këto biznese të cilat i ndajnë shishet e qelqit nga mbeturinat e tjera.
Përkundër interesimit të bizneseve që të reciklojnë materialet, Berisha thotë se kompania e tij nuk ka kapacitete për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave.
“Ka shumë njerëz të interesuar për riciklim të qelqit dhe jam shumë i lumtur që secili njeri ka një histori të veten se si e ka ruajtur qelqin me vite të tëra për ta ricikluar dhe atyre me shumë qejf shkojmë dhe ua marrim dhe i sjellim këtu në deponinë tonë”, thotë Berisha.
Berisha thotë se në Kosovë mungon një politikë e qartë institucionale përmes së cilës fuqizohet ky sektor, që përveç mbrojtjes së natyrës, mund të kthehet edhe në përfitim.
Askush s’e ndihmon sektorin e riciklimit
Egzona Shala është drejtoreshë e organizatës “EcoZ”. Kjo organizatë merret me mbrojtjen e mjedisit dhe përveç tjerash, bashkëpunon me kompaninë e Dukagjin Berishës për riciklim të qelqit.
Shala thotë se sektori i riciklimit thuajse është joekzistent në Kosovë. Ajo thotë se për riciklim flitet shumë, porse mungon tërësisht mbështetja institucionale.
“Në përgjithësi mungon një ngritje e vetëdijes tek institucionet si dhe te qytetarët, për përfitimet dhe të mirat që mundemi t’i kemi nga riciklimi. E dimë që në Kosovë ka pasur disa iniciativa të vogla për ndarje në burim të mbeturinave, mirëpo kanë dështuar shkaku i infrastrukturës”, tha Shala.
Shala beson se sektori i riciklimit do të mund të fuqizohej, nëse institucionet qendrore dhe lokale angazhohen që të zbatojnë ndarjen në burim të mbeturinave.
Përmes ndarjes në burim, sipas Shalës, qytetarët e kanë mundësinë që t’i ndajnë mbeturinat në shtëpitë e tyre.
“Ndarja në burim e mbeturinave, në implementim është shumë praktike. Kontejnerët mjaftojnë të ndahen për letër, për qelq dhe për produkte të plastikës, bazën, le të fillojmë me tri produktet kryesore. Secila prej kompanive në Kosovë ka filluar të krijojë riciklimin. E qeverisë është që të krijojë zinxhirin e riciklimit dhe t’i përkrahë iniciativat e tilla”, tha Shala.
Në të kaluarën, institucione dhe organizata ndërkombëtare kanë investuar në deponi dhe fabrika të ndryshme me qëllim të riciklimit, por shumë prej tyre aktualisht nuk janë funksionale.
Kompanitë dhe bizneset që merren me riciklimin, kanë pak përkrahje institucionale, ndërkohë që Kosova vazhdon të ketë problem me deponi ilegale.
Në Kosovë më së shumti bëhet riciklimi i plastikës, ndërkohë që materialet e tjera si hekuri dhe letra grumbullohen dhe shiten në vendet e tjera.
Sipas një raporti të vitit 2018 të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, rreth 580 tonë mbeturina gjenden në Kosovë, pra rreth një kilogram mbeturina për kokë banori.
Vetëm rreth 15 për qind e sasisë totale të mbeturinave, grumbullohen nga kompanitë e përpunimit të mbeturinave në Kosovë, ndërkohë që 2.7 për qind të mbeturinave, janë përpunuar dhe pastaj janë eksportuar për industrinë e riciklimit në vende të tjera./REL/