Pse çdo biznes duhet të kopjojë planin ‘3 ditë në javë’ të Google për rikthimin në punë

Çdo biznes duhet të ketë një strategji ku të sigurohet që punonjësit të mund të qëndrojnë të lidhur dhe të angazhuar kur punojnë në distancë dhe të ndihen të sigurt kur punojnë në zyrë.

Nëse jemi me fat, në një të ardhme të afërt, do të vijë koha kur Covid-19 nuk do të jetë më një shqetësim. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se do të harrojmë sa sfidues kanë qenë 16 muajt e fundit, por me hapjen e botës, më shumë aspekte të jetës sonë të përditshme do t’i përngjajnë periudhës së normalitetit para se gjithçka të ndryshonte në mars të vitit 2020.

Nuk dihet me siguri se kur do të ndodhë kjo gjë dhe varet nga fakti nëse do të vaksinohen mjaftueshëm njerëz, mundësisht para se të shfaqet ndonjë variant rezistent ndaj vaksinave dhe të shkaktojë probleme edhe më të mëdha.

Reklama e sponzorizuar

Për sa i përket rikthimit të gjërave në normalitet, kompanitë janë përpjekur të gjejnë mënyrën e duhur si t’i rikthejnë punonjësit në zyra, të paktën për një pjesë të javës. Disa kompani kanë arritur të gjejnë metodën që funksionon më mirë për biznesin e tyre, ndërsa të tjera kanë pasur vështirësi në gjetjen e qasjes së duhur që u lejon punonjësve një shkallë fleksibiliteti.

Mesa duket, e vetmja gjë më e vështirë se zhvendosja e një kompanie të tërë në punën në distancë, është gjetja e mënyrës si t’i rikthesh punonjësit në zyrë. Në disa raste, sfida është të dish nëse kjo përpjekje ia vlen.

Zgjidhja që ka gjetur Google, është një nga planet më të mira dhe më fleksibël që kam parë. Kompania planifikon të kthejë shumicën e punonjësve në zyrë për tre ditë, duke i lejuar ata të punojnë në distancë në ditët e tjera.

Mbi të gjitha, Google është gjithëpërfshirës në këtë qasje dhe po rimodelon hapësirat fizike për të akomoduar mënyrat sesi ekipi i punës do të punojë në të ardhmen. New York Times komentoi se kompania po përpiqet të “mirëpresë punonjësit që u mësuan të punojnë nga shtëpia gjatë vitit të kaluar dhe që nuk duan të rrinë më në zyrë gjatë gjithë kohës”.

Ky është një ndryshim vërtet i rëndësishëm. Google është një nga kompanitë teknologjike më të njohura në Silicon Valley, me ambiente të hapura pune që i nxisnin punonjësit të ndërvepronin personalisht me njëri-tjetrin, dhe ku ofroheshin shpërblime shtesë për t’i inkurajuar ata të qëndronin në zyrë për të punuar sa më gjatë.

Por pas 16 muajsh punë në distancë, shumë punonjësve nuk u intereson më kjo metodë, veçanërisht tani që është vërtetuar se, në fakt, njerëzit mund të jenë produktivë, edhe pa qenë fizikisht në zyrë. Madje, ndonjëherë, ata mund të jenë edhe më tepër produktivë duke punuar në distancë.

Një nga eksperimentet më interesante që po provon Google, është ndërthurja e punës në distancë dhe asaj në zyrë, duke krijuar hapësira fizike për takime, që mund t’i akomodojnë të dyja llojet e punës në një pozicion sa më të barabartë. Sipas Times, këto hapësira të njohura me emrin Campfire, janë zona ndenjeje në formë rrethore, ku janë instaluar edhe monitorë të mëdhenj për pjesëmarrësit virtualë.

Kompania gjithashtu po planifikon lloje të tjera hapësirash, duke përfshirë disa në ambientet e jashtme, për të mirëpritur grupe dhe ekipe të mëdha, duke shmangur grumbullimin e njerëzve në hapësira të mbyllura. Synimi është që punonjësit të jenë të sigurt, edhe kur rikthehen në zyrë. Kompania madje po harton orare të ndryshme pune, në mënyrë që punonjësit të shmangin kontaktet e ngushta në ambientin e punës.

Shumica e punonjësve do të punojnë sipas një orari hibrid që përfshin tre ditë punë në zyrë, dhe dy ditë punë në distancë. Sfida është se si mund të vihet në funksion kjo metodë, duke qenë sa më produktivë.

Kjo është arsyeja pse unë mendoj se çdo biznes duhet të mësojë nga qasja e Google. Çdo biznes duhet të ketë një strategji ku të sigurohet që punonjësit të mund të qëndrojnë të lidhur dhe të angazhuar kur punojnë në distancë dhe të ndihen të sigurt kur punojnë në zyrë. /INC/ /Monitor.al/