Shëndeti u kushton shqiptarëve 34 herë më shumë se mesatarja e BE-së

Pandemia, që ka zhytur botën në kaos dhe në vitin e dytë ende nuk po i duket fundi, nxori më të pah rëndësinë dhe mundësinë, apo pamundësinë e kujdesit për shëndetin.

Të dhënat krahasuese të Eurostat, që publikon treguesin e barazisë së fuqisë blerëse për shëndetin dhe shërbimet spitalore për vendet e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor tregojnë se në Shqipëri kujdesi për shëndetin është 34 herë më i shtrenjtë se mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Europian.

Në këto nivele, shqiptarët kanë ndër kostot më të shtrenjta të kujdesit për shëndetit në Europë. Në rajon, rekordin e mban Serbia, që e ka këtë tregues 41 herë më shumë se mesatarja e BE-së. Më e shtrenjta në Europë është Hungaria, që e ka këtë tregues 163. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut (19.7), Norvegjia (19.5), Suedia (17.5).

Reklama e sponzorizuar

Edhe për shërbimet spitalore, Shqipëria renditet ndër më të shtrenjtat. Indeksi për barazinë e fuqisë blerëse për shërbimet spitalore për Shqipërinë është 18.7 (nga 1 që është mesatarja referencë e BE-së), e pesta më e shtrenjtë në Europë pas Hungarisë, Norvegjisë, Suedisë e Serbisë. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut (17), Çekia (13.6), Danimarka (10).

Në rajon, kurimi është më i lirë në Mal të Zi e Bosnjë Hercegovinë.

Niveli i çmimeve sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP) tregon se sa njësi monetare kushton një sasi e veçantë mallrash dhe shërbimesh në vende të ndryshme, duke eliminuar efektin e diferencave të nivelit të çmimeve në të gjithë vendet dhe duke i bërë të krahasueshme me nivelet e të ardhurave.

Sipas metodologjisë së përbashkët të OECD dhe Eurostat, për shëndetin, barazia e fuqisë blerëse (PPP) llogaritet duke mbledhur së pari informacionin e çmimeve për një shportë përfaqësuese produktesh dhe shërbimesh, duke i mesatarizuar ato brenda grupeve. Këto grupe të produkteve janë konvertuar në çmime relative, të cilat më pas janë të peshuara dhe mesatarizuar për çdo nivel agregrim (për shembull spitalet, kujdesin shëndetësor, ose GDP).

Ndonëse çmimet e shërbimeve shëndetësore dhe spitalore, në krahasim direkt janë përkatësisht sa 28% dhe 15% e mesatares së BE-së, (po sipas Eurostat) për shkak të të ardhurave shumë më të ulëta që ka Shqipëria (sa 30% e mesatares së BE-së), realisht kurimi në vend kushton shumë më shtrenjtë se në pjesën dërrmuese të vendeve të BE-së.

Krahas çmimeve të shtrenjta, në raport me të ardhurat, edhe shpenzimet për kurimin nga xhepi janë të larta. Të dhëna të tjera të Bankës Botërore tregojnë se Shqipëria ka performancën më të keqe, pasi banorët shpenzojnë nga xhepi për shërbime shëndetësore më shumë se të gjithë (të dhënat e 2014), ndërsa shteti ka shpenzimet më të ulëta për frymë për sistemin e shëndetësisë.

Shpenzimet e drejtpërdrejta nga xhepi arrijnë 50% për shqiptarët, më të lartat në rajon dhe në krahasim me mesataren europiane, ndërsa shpenzimet publike për frymë për shëndetësinë ishin 304 dollarë, më të ulëtat në rajon dhe shumë poshtë mesatares së vendeve të BE-së.