Shqiptarët, të “uritur” për peshk, rekord historik gjatë korrikut, rreth 12 milionë euro importe

Referuar statistikave për “Tregtinë e Jashtme lidhur me import/eksportin për peshkun dhe kafshë guackore të nënujshme”, muaji Korrik ka shënuar rekord historik importesh për periudhën. Kështu muaji i fundit ku tëdhënat e tregtisë së jashtme janë të disponueshme ka arritur të “thyejë” trendin duke tejkaluar madje edhe muajin Qershor. Për korrikun e vitit 2021 importet për peshqit dhe kafshët guackore të nënujshme arritën në vlerën e 1.5 mld lekë, ose rreth 12 milionë euro, duke shënuar rekord historik të importeve për peshkun dhe kafshët guackore të nënujshme.

Reklama e sponzorizuar

Rritja e importeve për këtë kategori fiksohet në rreth 237 mln lekë më shumë se muaji Qershor, rritje e cila llogaritet në vlerat e 15.62%. Sezoni turistik duket se ka kryer punën e tij ‘mjaft mirë’, duke bërë që efekti post-pandemik të jetë i papërfillshëm, ku kërkesa për produktet e detit të shënojë rritjen më të madhe të regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me të njëjtën periudhë një viti më parë, importi për produktet e detit shënoi rritje me 25%, rritje e cila fiksohet në shifrat e 380 mln lekë.

Nëse do të krahasonim në terma vjetorë, pra periudhën nga fillimi i vitit deri në muajin korrik, për vitin 2021 dhe 2020, importi i produkteve të detit është rritur me rreth 1 mld lekë në 2021, rritje e cila fiksohet në vlerat e 17.38%./ SCAN INTELLIGENCE UNIT/