Aliu: Ka raste kur tokat janë shpronësuar për qëllime tjera

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë një konference për media ka treguar për keqpërdorimet në shpronësime, duke thënë se për shkak të këtyre proceseve buxheti po vazhdon të dëmtohet.

Ai tha se në fillim të këtij viti borxhi i shtetit ka qenë 182 milionë euro, lidhur me shpronësimet e që vetëm për këta gjashtë muajt e fundit borxhi është rritur për shtatë milionë euro.

“Kjo konferencë është sqarim i temës nga konferenca e djeshme nga ministri Hekuran Murati. Procesi i shpronësimeve në vend ka shkaktuar telashe të mëdha. Në konferencën e djeshme u fol për parregullsitë e gjetura, për ndryshimet e parregullta e ku është përmendur edhe vlerësimi i pronave ndaj njëra-tjetrës. Procesi i shpronësimit sot përbën një nga sfidat më të vështira. Kemi rrugë të realizuara për të cilat sot Kosova përballet në gjykata e që janë mbi 12. Në fillimi të këtij viti borxhi i shtetit ka qenë 182 milionë euro lidhur me shpronësimet, vetëm gjashtë muajt e fundit ky borxh është rrit për shtatë milionë euro dhe po vazhdon”.

Reklama e sponzorizuar

Mes tjerash ai tha se janë shpronësuar prona që asnjëherë nuk i kanë hyrë në punë projekteve, e të cilat pastaj u janë dhënë për shfrytëzim kompanive, që 35 cent ka kushtuar ari për muaj.

“Janë shpronësuar prona që nuk i kanë hyrë asnjëherë në punë projekteve, të cilat pastaj u janë dhënë në shfrytëzim kompanive me qira dhe shpronësimi ka kushtuar 35 cent për ari në muaj”.

“Zbulimi është vetëm një fillim dhe në vazhdimësi do të hasim në probleme të tilla dhe prokuroria duhet të angazhohet më tepër”, tha Aliu.

Aliu ka folur edhe për rrugën Prishtinë-Podujevë e që tha se ajo që ka mbetur në gjysmë sivjet do të përfundojë.

“Është e vërtetë që shpronësimet janë shkaktarë për problemet dhe me rishikimin e buxhetit viti që vjen presim vitin e ardhshëm, pjesa e trasesë do të përfundojë aty ku ka shpronësim”.

Ndërsa për marrëveshjen e Uashingtonit për marrëveshjen e autostradës së Paqes, tha se për këtë proces Kosova ka hyrë në obligime të mëdha, por që do të përfundojë.

“Marrëveshja në Uashington autostradës së Paqes, Kosova ka hyrë në obligime dhe ky proces për shkaqe financiare mund të zvarritet por që do të përfundojë”.

Aliu për Hidrocentralet tha se disa prej tyre nuk do të lejohet të punojnë atyre që nuk i plotësojnë lejet mjedisore.

“Kemi shumë raste ku hidrocentralet i kanë fituar të drejtat pavarësisht që kam pasur shkelje por asnjë nuk do të lejohet të punojë përderisa nuk i plotëson kriteret”.

Në fund ai tha se mbase është nisë një hetim për autostradën Prishtinë-Pejë.