148 mijë MWh më pak prodhim nga termocentralet në maj, importi arrin mbi 422 mijë MWh

Prodhimi i energjisë elektrike nga termocentralet në Kosovë ka shënuar rënie të ndjeshme gjatë muajit maj 2026, ndërsa vendi ka rritur ndjeshëm importin e energjisë për të përmbushur nevojat e konsumit.

Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se prodhimi bruto nga termocentralet në maj 2026 arriti në 178,476 MWh, krahasuar me 326,889 MWh në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo paraqet një rënie prej 148,413 MWh, ose 45.4 për qind.

Në të njëjtën kohë, importi i energjisë elektrike u rrit ndjeshëm. Në maj 2026, Kosova importoi 422,310 MWh energji elektrike, krahasuar me 298,886 MWh në maj 2025, duke shënuar një rritje prej 123,424 MWh, ose 41.29 për qind.

Rënia e prodhimit nga termocentralet gjatë muajit maj përkon me daljen jashtë operimit të disa njësive prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Gjatë kësaj periudhe, njësia B1 e Termocentralit “Kosova B” ishte në remont kapital, i cili nisi në prill dhe pritet të zgjasë deri në fund të vitit, në kuadër të investimeve për modernizimin e termocentralit dhe përafrimin me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, edhe njësia B2 ishte jashtë prodhimit për shkak të remontit të rregullt vjetor 30-ditor.

Situata u rëndua edhe më tej në fillim të majit, kur KEK njoftoi për ndaljen e operimit të njësisë A4 të Termocentralit “Kosova A”, për shkak të një defekti në kaldajë. Për të siguruar furnizimin me energji elektrike, kompania bëri të ditur se kapacitetet e munguara po mbuloheshin përmes energjisë së siguruar nga Shqipëria, ndërsa njësia A4 u rikthye në operim pas disa ditësh.

Problemet me kapacitetet gjeneruese të KEK-ut vazhduan edhe pas muajit maj. Më 31 maj, Korporata Energjetike e Kosovës njoftoi sërish se kishte ndalur në mënyrë të kontrolluar edhe njësinë A3 të Termocentralit “Kosova A”, pasi ishin evidentuar rrjedhje në sistemin gypor të kaldajës.

Sipas KEK-ut, vendimi u mor për të shmangur dëmtime më të mëdha në pajisje, ndërsa ekipet e mirëmbajtjes u angazhuan për sanimin e defektit dhe rikthimin e njësisë në operim sa më shpejt. Korporata bëri të ditur se A3 kishte operuar rreth 58 ditë pas rikthimit në punë më 2 prill, kur ishte riparuar një defekt i mëparshëm në të njëjtën njësi.

Në këtë kontekst, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se prodhimi i energjisë nga termocentralet në maj 2026 ra në 178,476 MWh, ose 45.4 për qind më pak se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Njëkohësisht, importi i energjisë elektrike u rrit në 422,310 MWh, duke shënuar një rritje prej 41.3 për qind, çka pasqyron ndikimin që pati dalja nga operimi e disa blloqeve prodhuese të KEK-ut në bilancin energjetik të vendit.

Në anën tjetër, prodhimi nga hidrocentralet u rrit në 49,224 MWh, ose 51.38 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa prodhimi nga era dhe energjia solare arriti në 39,295 MWh, duke shënuar një rritje prej 8.25 për qind.

Por pavarësisht rritjes së prodhimit nga burimet e ripërtëritshme, ajo nuk arriti të kompensojë rënien e madhe të prodhimit nga termocentralet, çka u reflektua më pas në rritjen e importeve të energjisë.

Sipas ASK-së, konsumi i energjisë elektrike në maj 2026 ishte 398,660 MWh, ose 8.88 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 484,028 MWh, me një rënie të lehtë prej 0.41 për qind.

Po ashtu, edhe prodhimi i thëngjillit ka shënuar rënie të konsiderueshme. Në maj 2026 u prodhuan rreth 301 mijë ton, ose 37.25 për qind më pak se në maj 2025. /Buletini Ekonomik/