Zhdoganimi i një kamioni, CEFTA: Kosova në vend të tretë, Shqipëria me kohën më të lartë të pritjes në rajon

Nga të 15 vendet e rajonit të CEFTA-s me të cilat ka një marrëveshje të tregtisë së lirë, Shqipëria rezulton më e vështira për shpejtësinë e zhdoganimit të kamionëve të mallrave.

Sipas të dhënave zyrtare të CEFTA-s në qershor të këtij viti, mesatarisht një kamion harxhoi 197 minuta apo 3 orë e 20 minuta për procedurat e pritjes dhe zhdoganimit në pikat doganore hyrëse në Shqipëri. Koha e pritjes në Shqipëri ishte më e larta dhe me një diferencë të lartë nga vendi i dytë më kohën më të lartë të pritjes Mali i Zi, ku një kamioni i duhet të presë 129 minuta apo 2 orë e 9 minuta.

Gjatë vitit të pandemisë COVID-19, ky tregues u përkeqësua edhe në Kosovë si vendi i tretë me kohën më të lartë të zhdoganimit të një kamioni me 120 minuta apo 2 orë.

Reklama e sponzorizuar

Serbia është vendi më shërbimet më të mira në ketë drejtim ku kamionët nuk kanë kohë pritje në pikat doganore, më pas vjen Maqedonia e Veriut ku një kamion pret për zhdoganim vetëm 37 minuta dhe Bosnja e Hercegovina me vetëm 81 minuta.

Në territorin shqiptar koha e zhdoganimit të një kamioni është me larta edhe pse shumica e ngarkesave i nënshtrohen procedurave të skanimit në dogana. Ndryshe nga vendet e tjera që prej vitit 2013 në Shqipëri ofrohet shërbimi i skanimit në dogana nëpërmjet një koncesioni nga privati me Partneritet-Publik-Privat. Koncesioni përveçse ka ngarkuar biznesin me një tarifë shtesë 5 euro për deklaratat doganore nën ose të barabarta me 1,000 euro dhe 22 euro për deklaratat doganore mbi 1,000 euro ka ndikuar gjithashtu edhe në kohën e pritjes.

Nga të dhënat e brendshme, tashmë 92 për qind e shërbimeve doganore kryhen online, falë zbatimit të reformës së digjitalizimit, por shërbimi doganor në Shqipëri mbetet problematik sa i përket afateve kohore në raport me vendet e tjera të rajonit.