Në plan edhe panelet solare për ngrohjen e disa lagjeve periferike të kryeqytetit.
Blendrita Avdiu
Punët rreth realizimit të projektit për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore është duke vazhduar edhe këtyre ditëve në disa lagje të Prishtinës.
Të gjitha punët rreth infrastrukturës së nevojshme për ngrohje qendrore në rrugën “Muharrem Fejza” tanimë kanë përfunduar, ndërkohë që punimet për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes nëpër rrugicat e kësaj lagjeje tek objektet kolektive deri tek shkolla “Pavarësia” janë në proces të realizimit.
Zyrtarja për informim në Termokos, Aferdita Uka – Fejzullahu ka thënë se projekti për zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit të ngrohjes është në fazën finale të studimit të fizibilitetit.
Punimet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes përgjatë rrugës “Muharrem Fejza” tanimë kanë përfunduar. Ndërkaq, punimet për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes nëpër rrugicat e kësaj lagjeje tek objektet kolektive deri tek shkolla “Pavarësia” janë në proces të realizimit.
Fillimi i furnizimit me ngrohje për konsumatorët e rinj të lagjes “Mati 1” planifikohet të realizohet gjatë këtij sezoni të ngrohjes qendrore, kur pritet të finalizohen gjithë punimet në këtë pjesë të kësaj lagjeje.
Në sistemin e ri të ngrohjes qendrore pritet të kyçen rreth 141 objekte banesore të lagjes ”Mati 1”, tek të cilat është në proces shtrirja e rrjetit të ngrohjes do të kyçen gjatë kësaj sezone ngrohëse.
Sipas të dhënave të Termokosit i tërë “Mati 1” do të kyçet në sistemin e ngrohjes në vitin e ardhshëm.
“Përveç lagjes “Mati 1”, në kuadër të Projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, që është në proces të realizimit, do të kyçen edhe një pjesë e objekteve banesore të lagjes “Arbëria”, disa objekte banesore tek Parku i Qytetit, disa objekte të vjetra në lagjen ”Ulpiana” dhe ”Qendër” shtoi zëdhënësja e Termokosit.
Në plan të zgjerimit të ngrohjes qendrore edhe në lagjet më periferike të kryeqytetit Termokosi ka në vizion të aplikojë edhe energjinë solare.
Në fakt, parashihet që disa lagje të furnizohen me ngrohje nëpërmes paneleve solare. Konkretisht parashihet që ngrohja qendrore në këtë mënyrë të bëhët në lagjen “Arbëria” dhe “Tophane”. Një pjesë të madhe të mjeteve financiare të nevojshme për këtë projekt tashmë e ka zotuar Banka Gjermane për Zhvillim- KfW.
Mirëpo, për ta filluar realizimin e zgjerimit të ngrohjes qendrore përmes energjisë solare duhet të pritet përfundimi i studimit të fizibilitetit, përfundimisht të sigurohet struktura e financimit dhe të sigurohen donacionet, një pjesë e madhe e të cilave janë zotuar.
Uka – Fejzullahu ka sqaruar se në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Qeverinë e Kosovës janë duke u angazhuar edhe për sigurimin e pronës adekuate, ku do të duhet të vendosen panelet solare. Sigurimi i kësaj prone, që është përcaktuar nga “Termokos” dhe propozuesi i projektit (Banka Gjermane për Zhvillim- KfW), është vetëm njëra nga parakushtet për fillimin e realizimit të këtij projekti.
“Procedurat për marrjen në shfrytëzim të parcelës për vendosjen e paneleve solare nuk kanë përfunduar ende. Në këtë çështje, përveç Komunës së Prishtinës dhe Obiliqit, për të ndihmuar procesin, është kyçur edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka thënë Uka – Fejzullahu për Buletinin Ekonomik.
Projekti për ngrohjen qendrore nga panelet solare parashihet të realizohet në afat prej 3-5 vitesh./Buletini Ekonomik/