Qeveria fton pensionistët pa 15 vjet stazh të regjistrohen në formular për pension të pjesshëm kontributiv

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se të gjithë pensionistët të cilët për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë arritur t’i plotësojnë 15 vjet stazh, do të mund të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontributiv, nëse i plotësojnë kriteret ligjore sipas ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi.

Sipas Muratit, këta pensionistë duhet që brenda këtij muaji të regjistrohen në një formular online.

Reklama e sponzorizuar

“Të gjithë pensionistët që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë arritur t’i plotësojnë 15 vite stazh, e që tash marrin vetëm pensionin bazik, do të kenë mundësinë që të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontributiv, nëse i plotësojnë kriteret sipas ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ai ka shtuar se ata do të ftohen më radhë nga zyrat e pensionistëve për paraqitje të aplikacionit për kalim në skemën parciale kontributive.

“Para se të fillojë zbatimi i skemës së re, ftohen të gjithë pensionistët që kanë kontribute të regjistrohen në formularin më poshtë deri në fund të muajit gusht, ashtu që zyrat e pensioneve pastaj t’i ftojnë sipas radhës për paraqitjen e aplikacionit për kalim në skemën parciale kontributive në mënyrë që të evitohen pritjet e gjata para sporteleve”, përfundon ai.

Javë më parë deputetët e Kosovës kanë miratuar Projektligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, i cili parasheh futjen e të gjithë qytetarët të cilët janë larguar nga puna në vitet e 90-ta, e të cilëve nuk u është njohur kontributi dhe si pasojë, nuk e kanë plotësuar kriterin prej 15 vjetësh stazh, për të përfituar nga pensioni kontribut-pagues.

Ndikimi financiar vjetor me këtë Projektligj parashihet të jetë diku 60 milionë euro, por që nga ky projektligj do të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë. /Telegrafi/