ATK për dy muaj ka gjobitur 16 mijë biznese

Administrata Tatimore e Kosovës

Kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ka thënë se “Fiskalizimi është një proces që ka nisur tash e një dekadë, megjithatë një numër i madh i sektorit privat sidomos i shitjeve me pakicë punojnë ende të pasfikalizuara” dje në tryezë diskutimi me temë “Luftimin e Ekonomisë Joformale: Fiskalizimi në Fokus” në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës (OEK).

Zeka tha se, procesi i fiskalizimit është tejet i rëndësishëm dhe se diskutime të tilla janë tejet të nevojshme për luftimin e ekonomisë joformale dhe për trajtimin e barabartë të gjitha palëve.

Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se pjesa dërrmuese e sektorit privat është e interesuar që të ketë rregullë dhe konkurrencë të barabartë dhe sa më shumë formalizim dhe fakti që ne si dy asociacione të bizneseve në vend po e trajtojmë këtë temë si prioritet, tregon edhe interesimin e bizneseve në vend për t’u formalizuar.

Reklama e sponzorizuar

“Ka pas shumë pretekste më herët nga bizneset sa i përket fiskalizimit, si psh me çmimin e arkave fiskale. Ne e kemi një bashkëpunim shumë të mirë edhe me operatorët që të krijohen kushtet sa më të favorshme për bizneset”, shtoi Berat Rukiqi në fjalën e tij.

Drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj tha se vazhdimisht po bëjnë përpjekje që të ruhet konkurrenca e barabartë në treg, duke shtuar se shqiptimi i gjobave ka shkuar deri në 16 mijë gjoba për bizneset jotatimpaguese.

“Bëjmë përpjekje vazhdimisht që të ruajmë konkurrencën në treg dhe të shqyrtojmë çështjen e ekonomisë se zezë. Kemi ekonomi joformale për shkak të shumë faktorëve, duke u nisur nga terreni dhe shihet që ka laramani të respektimit të ligjit nga bizneset”, tha ai.

Murtezaj tha gjithashtu se tashmë rreth 36 mijë biznese janë të fiskalizuara.
Të pranishëm në këtë diskutim ishin edhe përfaqësuesit e bizneseve të cilët potencuan sfidat e tyre karshi procesit të fiskalizimit. Një ndër pengesat e vazhdueshme u përmend edhe ndërrimet e shpeshta që bëhen në udhëzimet administrative nga institucionet përkatëse, ndërrime këto që bizneseve u marrin kohë në përshtatje dhe zbatim, rrjedhimisht ky proces mund të pengojë edhe shtrirjen më të shpejtë të procesit të fiskalizimit. Përfaqësuesit ekonomik përmenden edhe faktin që një numër i konsiderueshëm i bizneseve vazhdojnë të operojnë pa respektuar masat fiskalizuese dhe kjo rrjedhimisht pengon edhe bashkëpunimin biznes – biznes.

Në fund të këtij takimi, u tha se pavarësisht pengesave, procesi i fiskalizimit mëton të përmbyllet në gjysmën e parë te vitit te ardhshëm.